Muzeu Kombëtar
Ndërtesa e tanishme e Muzeut Kombëtar është planifikuar të kthehet në një qendër argëtuese dhe tregtare. Në të do të ketë librari, kinema, sallë aktivitetesh, sallë eskpozitash, bare, restorante, dyqane. Nëpër godinë do të ketë disa ekspozime etnografike, të realizmit socialist, dhe dokumente të periudhës së totalitarizmit në Shqipëri. Në mes të godinës do të ndërtohet një strukturë xhami, në majën e së cilës do të ndërtohet një restorant “shik me ushqime shqiptare”. Ja si e përshkruan, me nota romantike, Kryeministri Rama idenë e tij për ndërtesën e Muzeut Kombëtar:“Muzeu i vjetër Historik, që lëngon si gërdallë barkzbrazur, gjynah e turp pas njëzet vjetësh nga rënia e komunizmit dhe Realizmit Socialist.
Riprogramohet si një hapësirë e gjallë e trashëgimisë kulturore e historike, [...] nga shtresa e parë e objekteve origjinale arkeologjike në hyrje, te zona e tregtimit të librit shqip në mjedisin e katit të fundit, ku shkohet duke kaluar me një rend të studiuar mirë përmes shëmbëlltyrave më të vyera të kulturës etnografike, veprave më përfaqësuese të artit bizantin, një koleksion permanent origjinalesh të Realizmit Socialist, kombinuar me dëshmi autentike të terrorit totalitar, të ndërthurura me dhoma projeksionesh, filmime, burime të aksesueshme për publikun të informacionit të thelluar dixhital, pika shitje të botimeve e suvenireve nga udhëtimi brenda muzeut, kënde relaksi e bare të vogla, një sallë konferencash moderne dhe po ashtu një mjedis ekspozitash të përkohshme, si dhe një bibliotekë dixhitale e gjithçka gjendet e shkruar në gjuhën shqipe, së bashku me një restorant shik ushqimesh tradicionale.”
Teatri i Kukullave
Ndërtesa e Teatrit të Kukullave është planifikuar të rindërtohet dhe të kthehet në Muze të Harmonisë Fetare. Hapësira mes ndërtesës së teatrit dhe ministrive tashmë është rindërtuar dhe është kthyer në një hapësirë të betonizuar me disa stola guri dhe disa çadra të varura nëpër pemë. Është e paqartë ku do të zhvendoset Teatri i Kukullave. Kryeministri Rama është shprehur në Kongresin Zgjedhor të PS-së, mars 2019, se ai do të jetë në kompleksin që do të ndërtohet në territorin e tanishëm të Gardës së Republikës. Ndërsa në një intervistë në Opinion në Tv Klan, po në mars 2019, Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se ky teatër do të vendoset në një godinë që do jetë pjesë e kompleksit të ri të kopshtit zoologjik dhe botanik, që është planifikuar të ndërtohet. Mendimin e tij për Teatrin e Kukullave Edi Rama e ka shprehur sërish në librin Kurban:“Teatrit të Kukullave, katandisur sot në një shëmbëlltyrë të turpeve të bëra në këtë vend me objektet e trashëgimisë kulturore, që sipas projektit kthehet në identitet e lidhet me katrorin e sheshit përmes ishullit të pishave krah Bankës së Shqipërisë, duke ofruar një hapësirë çlodhëse nën hije për gjyshërit e prindërit, teksa fëmijët mblidhen, hyjnë e dalin në teatër ose luajnë në mjedisin e arreduar me një zonë rëre e lodrash të dizajnuara apostafat për atë hapësirë si skulptura funksionale.”
Pallati i Kulturës
Rama ka vendosur ta ruajë godinën e Pallatit të Kulturës, por do ta rindërtojë duke ia ndryshuar rrënjësisht arkitekturën. Pjesa e Teatrit të Operas dhe Baletit po rindërtohet dhe do të mbetet siç është nga pikëpamja arkitekturore. Pjesa qendrore e ndërtesës do të zhvishet krejtësisht nga muret e brendshme, duke lënë vetëm kolonat dhe një hapësirë boshe tejpërtej godinës, e cila do të shërbejë si hapësirë kalimi, që do të lidhë Sheshin Skënderbej me Lulishten Viktor Eftimiu pas ndërtesës. Në librin Kurban, Edi Rama ka shprehur vizionin e tij arkitekturor për këtë ndërtesë dhe lulishte:"Pallati i Kulturës ruhet në dukjen e tij si paja e madhe e martesës shtetërore të kohës së Perandorisë Komuniste, por u afrohet qytetarëve si një hapësirë e rifituar aktivitetesh publike e kulturore [...] Kollonada e lartë riorganizohet si hapësirë publike, ndriçohet së brendshmi për t’u dhënë natën mundësi njerëzve ta jetojnë riprogramimin e saj dhe, nga ana tjetër, për ta vizituar së jashtmi të gjithë fasadën e gjatë me një siluetë të errët vertikalesh ritmike që i bëhet perde sheshit 'Skënderbej'."
Biblioteka Kombëtare
Biblioteka Kombëtare do të largohet nga Pallati i Kulturës, ku është tani, dhe do të vendoset në një ndërtesë të re, që pritet të ngrihet në truallin e tanishëm të Gardës së Republikës.Lulishtja pas Monumentit të Skënderbeut
Hapësira pas monumentit të Skënderbeut do të shtrohet me bar sintetik, si ai i stadiumeve, dhe do të shërbejë si hapësirë për koncertet rinore. Vizionin e tij për këtë pjesë, si për gjithë qendrën e Tiranës, kryeministri e ka shpalosur në librin Kurban:“Arena e gjelbër pas monumentit të Skënderbeut mundëson hyrje-daljen jugore të këmbësorëve nga qyteti i makinave në këtë hapësirë jete cilësore urbane në zemër të qytetit, krijon mundësinë e koncerteve rinore, shfaqjeve të teatrit të rrugës, takimeve masive të të rinjve mbi tapetin e barit të kuruar enkas me teknologjinë e fushave të blerta të stadiumeve.”
Sheshi Skënderbej
Sheshi Skënderbej u kthye në zonë kombësore, u rindërtua si një piramidë e lehtë, duke u shtruar me pllaka dhe duke prishur krejtësisht identitetin arkitekturor dhe historik të Sheshit.
Në Exit.al kemi shkruar gjerësisht për sheshin në të shkuarën, disa nga shkrimet mund të gjenden këtu, këtu dhe këtu.
10 kulla përqark Sheshit Skënderbej
Sheshi Skënderbej do të jetë tërësisht i rrethuar me kulla të larta, dhjetë të tilla, dhe praktikisht do të shërbejë si oborri i këtyre ndërtesave private. [caption id="attachment_48968" align="aligncenter" width="480"]
Render i planit francez me kullat në qendër të Tiranës[/caption]
Libri Kurban shpalos vizionin arkitekturor dhe urban të Kryeministrit për këtë pjesë të qendrës:
“Rrotull Skënderbeut [do të ketë] hapësira tregtare të dyqaneve, restoranteve, librarive, zyrave, agjencive, kinkalerive, kafeneve, kinemave, që plani francez i parasheh si ringjallje bashkëkohore e Pazarit të Vjetër në sipërfaqen e gropës së mbuluar të Hajdinit.”
Deri më tani, nga kullat e larta të parashikaura në qendër të Tiranës janë ndërtuar:— Kulla ABA, në krah të Ambasadës Italiane, ku sot ndodhet qendra tregtare Coin;
— Kulla TID, ku sot ndodhet Hotel Plaza;
— Kulla 4EverGreen, përballë Kishës Ortodoke, e cila më në fund po vishet me fasadë dhe pritet të përfundojë;
— Kulla Ambasador 3, pas stadiumit kombëtar;
— Në truallin ku sot është Qendra Toptani ishte planifikuar një kullë e lartë, por për arsye të paqarta në vend të saj u ngrit qendra e tanishme tregtare pesëkatëshe.
[caption id="attachment_48970" align="aligncenter" width="684"]
Kulla '4ever green'[/caption]
Ndërkohë janë dhënë leje ndërtimi për pesë kulla të tjera, për të cilat sapo ka filluar apo pritet të fillojë së shpejti ndërtimi:
— Kulla Eyes of Tirana, e cila do të ndërtohet në pjesën perëndimore të Sheshit, aty ku bashkohen Rruga e Kavajës dhe ajo e Durrësit.
— Kompleksi Book Building pas Kullës së Sahatit, i cili do të përbëhet nga dy kulla, njëra 11-katëshe dhe tjetra 16-17-katëshe. Njëra nga ndërtesat do të shërbejë si qendër biznesi, ku do të marrë zyra edhe Bashkia Tiranë, në shkëmbim të tokës, kurse tjetra është planifikuar të jetë hotel.
— Kulla Tirana’s Rock ose Kulla The Head, në krahun lindor të Hotel Tiranës, në vendin ku dikur ka qenë Libraria Flora.
— Kulla 25 katëshe pas Hotel Tiranës, e cila do të shërbejë si qendër tregtare dhe ambiente shtesë për Hotel Tiranën. Për këtë ndërtesë, Kryeministri Rama është shprehur në librin Kurban:
“Hotel “Tirana” rikonceptohet në fasadë e në volumet e pasme (ndërtohet pas saj), që e zëvendësojnë atë centralin e shëmtuar elektrik në mes të qytetit me një zonë komerciale të klasit të parë.”
— Dy kulla, ende të paprojektuara, janë planifikuar të ndërtohen në lulishten pas Pallatit të Kulturës.
Kompleksi i Teatrit Kombëtar
Siç dihet tashmë, Edi Rama dhe Erion Veliaj kanë vendosur të prishin ndërtesën e Teatrit Kombëtar dhe në vend të saj të ndërtojnë një tjetër ndërtesë për Teatrin Kombëtar, ndërkohë që gjithë hapësira midis ndërtesës së tanishme dhe Qendrës Toptani është planifikuar të ndërtohet me kulla. Në planet e tyre është, gjithashtu, që aty ku sot ndodhet ndërtesa Sarajet të ndërtohet një kullë e lartë 35-katëshe, por disa nga pronarët trashëgimtarë vazhdojnë të refuzojnë ta prishin ndërtesën për të ndërtuar mbi truallin. Edhe në vend të ish-ndërtesës së Partisë Demokratike, në krah të Sarajave, është planifikuar një ndërtesë e lartë.Territori i Gardës së Republikës
I gjithë territori i Gardës së Republikës dhe një pjesë e parkut të Liqenit ngjitur me të do të kthehen në zonë ndërtimi. Aty qeveria ka planifikuar disa godina shtetërore, përfshi ndërtesën e Bibliotekës Kombëtare. Ndërkohë, në këtë hapësirë do të ketë disa ndërtime private, por që mbahen ende konfidenciale nga Bashkia.Zona e Stadiumit Kombëtar
Një kullë e lartë 24-katëshe është duke u ndërtuar si pjesë e ndërtesës së stadiumit të ri kombëtar, i cili po ndërtohet pas prishjes së stadiumit të vjetër, që ishte pjesë e kompleksit monumental historik të Sheshit Nënë Tereza. Ndërkohë ka filluar ndërtimi i kullës 24-katëshe, Pylli Vertikal, pas stadiumit kombëtar, në krah të godinës Ambasador 3. [caption id="attachment_48971" align="aligncenter" width="620"]
Kulla në njërën anë të stadiumit të ri kombëtar[/caption]
Zona e Urës së bulevardit dhe të Rrugës së Elbasanit
Një kullë 17-katëshe ka filluar të ndërtohet pas Hotel Dajtit. Ndërkohë një kullë 35-katëshe, Downtown Albania, ka filluar të ndërtohet në territorin ku ka qenë këndi i lojrave "7 Xhuxhat", në krahun jugperëndimor të urës së Rrugës së Elbasanit. Ajo do të jetë kulla më e lartë nga të gjitha ato që janë planifikuar. [caption id="attachment_48421" align="aligncenter" width="529"]
Punimet për kullën DownTown[/caption]
