Të premten mbërrijnë 38 400 dozat e para të vaksinës AstraZeneca

exit.al 10 Mars 2021, 19:23

Kryeministri Edi Rama njoftoi të mërkurës se të premten do të mbërrijnë në Shqipëri 38 400 doza të vaksinës AstraZeneca.

Ai njoftoi se do të nis vaksinimi i mësuesve. Deri tani janë vaksinuar mjekë, infermierë dhe të moshuar.

Referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më tani janë vaksinuar 21,613 persona.

Më herët Italia ka miratuar vaksinën e koronavirusit AstraZeneca për njerëzit e moshës mbi 65 vjeç, pa sëmundje shoqëruese. Po ashtu edhe Gjermania.

Ndërsa autoritetet austriake pezulluan vaksinimin me AstraZeneca si një “masë paraprake”, për shkak të  hetimeve për vdekjen e dy persona pas marrjes së dozës së parë.

OBSH ende nuk e ka rekomanduar AstraZeneca në listën e përdorimit emergjent, por ajo është parë nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) dhe rrjedhimisht plotëson kriteret e OBSH-së.

EMA ka vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin e vaksinës dhe ka rekomanduar dhënien e saj për njerëzit e moshës 18 vjeç e lart.

Referuar të dhënave të OBSH, vaksina ka një efikasitet prej 63.09%.

Nëse dozat jepen në një interval kohor 8 deri në 12 javë vaksina është më efikase.

Shpërndaje te miqtë