Talibanët ndalojnë shkollat e mesme për vajzat

exit.al 18 Shtator 2021, 13:00

Talibanët kanë ndaluar vajzat të kthehen në shkollat e mesme në Afganistan. Ata kanëvendosur që vetëm djemtë dhe mësuesit burra të kthehen nëpër klasa, raporton agjencia e lajmeve AFP.

Talibanët rrëzuan qeverinë e përkrahur nga SHBA-të muajin e kaluar, duke u zotuar për ton më të butë, për dallim nga vitet 1990, kur grave u është ndaluar edukimi dhe puna.

Mirëpo një urdhër nga Ministria e Edukimit, i cili përbën kërcënim për të drejtat e grave, cakton se: Të gjithë mësuesit burra dhe nxënësit duhet të marrin pjesë në institucionet edukative.

Në deklaratën e lëshuar të premten vonë, nuk janë përmendur mësueset apo nxënëset.

Shkollat e mesme, me nxënës të moshave nga 13 deri në 18-vjeçare, zakonisht ndahen në baza gjinore në Afganistan.

Gjatë pandemisë së koronavirusit, ato janë mbyllur vazhdimisht, mirëpo mbyllja më e madhe është vërejtur prej ardhjes së talibanëve në pushtet.

Tani që misioni amerikan ka përfunduar dhe talibanët u kthyen në pushtet, Kombet e Bashkuara kanë thënë se janë “thellësisht të shqetësuara” për të ardhmen e shkollimit të vajzave.

Shkollat fillore tashmë janë hapur me klasa të ndara të djemve dhe vajzave.

Në disa shkolla janë kthyer në punë edhe mësueset gra.

Regjimi i ri ua ka ndaluar grave shkuarjen në universitete private, si dhe u ka caktuar rregull të ri për veshje dhe lëvizje.