Takohen delegacionet e Kosovës e Serbisë, Hoti: Marrëveshje për njohje reciproke

exit.al 23 Korrik 2020, 11:11

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti njoftoi se në 23 korrik, në Bruksel ka nisur puna për draftimin e marrëveshjes për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Në një postim në Facebook, Hoti shkruan se ‘dialogu teknik ka përfunduar’. Po sot në Bruksel, do të takohen dhe delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh. Delegacionet e të dyja vendeve të kenë së pari takime të ndara me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, e pastaj edhe takim të përbashkët. Kosova përfaqësohet në dialogun e nivelit të ekspertëve me Skender Hysenin, i emëruar si koordinator për dialog nga ana e kryeministrit Hoti. Kryeministri Hoti ka deklaruar:

 “Ai (Skender Hyseni) flet në emër timin në tavolinën e dialogut. Ai e ka këtë kompetencë, të më përfaqësojë mua si kryeministër në procesin e dialogut.

Ai do të jetë në Bruksel, së bashku me (Ibrahim) Makollin, që merret me çështjen e të pagjeturve, për të bërë draftin e marrëveshjes finale për çështjen e të pagjeturve.”

Ky është takimi i parë në nivel ekspertësh që pas takimit Hoti-Vuçiç në 16 korrik. Shpërndaje te miqtë