Supermarketet bojkotojnë firmat që shfrytëzojnë majmunët për punë

exit.al 4 Korrik 2020, 16:12

Disa linja supermarketesh në Mbretërinë e Bashkuar kanë hequr nga shitja produkte me bazë arrën e kokosit nga ato firma të cilat shfrytëzojnë majmunët për të mbledhur arrat e kokosit. Grupi për të drejtat e kafshëve PETA ka njoftuar se shumë kompani rrëmbejnë majmunët nga habitatet e tyre natyrore, i stërvisin për të mbledhur arra kokosi dhe më pas i shfrytëzojnë për punë. Disa rraca majmunësh në Tajlandë cilësohen si ‘makineri arrash kokosi’ pasi mund të mbledhin deri në 1 mijë të tilla në ditë. Sa për krahasim, një punonjës i trajnuar mund të mbledhë deri në 80 arra kokosi në ditë. Në përgjigje të shqetësimit të PETA-s, rrjete të tilla dyqanesh si Waitrose, Ocado, Co-op dhe Boots kanë premtuar se nuk do të shesin më në dyqanet e tyre produkte nga kompani që shfrytëzojnë majmunët. Në një deklaratë për media, Waitrose shkruan:

"Si pjesë e politikës sonë për mirëqenien e kafshëve, ne jemi angazhuar që kurrë të mos shesim me vetëdije produkte që vijnë nga puna e majmunëve."

Shpërndaje te miqtë