Sot Samiti i Ballkanit Perëndimor, diskutohen negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

exit.al 28 Janar 2020, 11:57

Liderët e Ballkanit Perëndimor dhe drejtuesit e institucioneve të BE-së do të takohen sot në Bruksel për të zhvilluar Samitin për Ballkanin Perëndimor.

Në samit do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë Rama dhe përfaqësues nga Serbia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegoniva.

Samiti do të drejtohet nga Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli dhe diskutimi do të përqendrohet në diskutimet për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në pranverë 2020, si dhe për zhvllimin ekonomik të gjithë rajonit.

Komisioneri për Zgjerimin e Bashkimit Evropian Oliver Varhely u shpreh se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet ta shfrytëzojnë sa më shumë presidencën e BE-së së Kroacisë dhe samitet e zhvilluara për BP-në, pasi ky është momenti për të vënë fokusin në Ballkanin Perëndimor dhe problemet e rajonit.

Në këtë takim, kryeministri Rama do të takohet dhe me Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për Konferencën e Donatorëve, që do të mbahet në 17 shkurt në Bruksel.

Nesër ai do të vizitojë selinë e NATO-s në cilësinë e Kryetarit të OSBE-së, ku do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.