“Në mungesë të plotë të respektimit të shtetit ligjor në Kosovë gjatë viteve, [korrupsioni dhe krimi i organizuar] janë rritur ndjeshëm. Gjendja ka mbetur thellësisht shqetësuese që nga fillimi i misionit [EULEX]. Korrupsioni është i gjithëpranishëm.
Gjithnjë e më shumë po bëhet arsye për shqetësim fakti se kur u krijua Misioni u bënë deklarata të pabazuara se do t’i jepej fund korrupsionit dhe do të arrestoheshin “peshqit e mëdhenj”brenda pak kohe. Megjithatë, politika lëviz me një ritëm më të shpejtë se puna në sistemin gjyqësor, e cila bazohet në prova, argumente kundërshtuese dhe në prezumimin e pafajësisë.”
Këto përfundime të raportit Jacqué ngrenë shumë dyshime rreth efektivitetit të përpjekjeve të BE-së për të zbatuar reformën në drejtësi në Shqipëri. Qëllimi kryesor i kësaj reforme është eliminimi i korrupsionit nga sistemi i drejtësisë, pikërisht bazuar mbi premtimin për të arrestuar "peshqit e mëdhenj". Së pari, nëse BE-ja, me 1 miliardë euro dhe dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të huaj, nuk qe në gjendje të krijonte një sistem të pa korruptuarë të drejtësisë, si mund të mendohet se mund të arrihet një synim i tillë në Shqipëri, ku nuk ka asnjë ekspert të huaj të përfshirë brenda institucioneve shqiptare? Së dyti, katër nga tetë ekspertët ndërkombëtarë në Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), i cili duhet të mbikqyrë procedurat e institucioneve të verifikimit dhe rivlerësimit (vetingun) të të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit mbështetës të punësuar në sistemin e drejtësisë, kanë qenë pjesë e EULEX-it. Theo Jacobs ishte kryeprokurori i EULEX-it dhe paraardhës i Jaroslava Novotnës, e cila dyshohet si e përfshirë në skandalin e korrupsionit që zbuloi Bamieh, Elka Ermenkova ishte gjykatëse ndërkombëtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, ndërsa Ferdinando Buatier de Mongeot dhe Marie Tuma ishin gjyqtarë të EULEX-it. Natyrisht, fakti që këta njerëz punonin për EULEX-in nuk nënkupton në asnjë mënyrë se ata kanë qenë të korruptuar, por trajtimi i BE-së për rastin e korrupsionit brenda EULEX-it duhet të shërbejë si rast paralajmërues për mënyrën me të cilën BE do të trajtojë rastet e mundshme të korrupsionit në insitucionet e vetingut apo në ONM, në të ardhmen. Qartazi BE dhe qeveria shqiptare kanëtë përbashkët diçka shumë të rëndësishme: kur zbulohen skandale të mundshme korrupsioni, ato nuk përgjigjen me gatishmëri dhe përgjegjësi; përkundrazi, fillojnë të sulmojnë informatorët dhe përpiqen të mbulojnë veten me fshehtësi. Ky duhet të jetë një paralajmërim i fortë për atë që pritet të ndodhë në të ardhmen. Shpërndaje te miqtë
