“Kemi bërë thirrje për grevë, nga ora 8 e mëngjesit deri në 16.00 të pasdites, forma e së cilës do të jetë me ulje qepenësh. Kryefjala e protestës sonë është përfshirja në TVSH e biznesit të vogël, e cila pati efekte gjatë këtij viti. Nga janari deri në fund të nëntorit falimentuan plot 13 mijë biznese të vogla.”
Bujar Muça, nënkryetar i shoqatës, bëri me dije katër kërkesat që sipërmarrësit i drejtojnë qeverisë:1.Rritja e pragut të tvsh për biznesin e vogël nga 2 milionë lekë në vit në 12 milionë lekë në vit; 2.Ulja e çmimit të energjisë elektrike me 30 për qind; 3.Ulja e çmimit të karburantit me 40 lekë për liter; 4.Ndalimi i projektit të qeverisë për zëvendësimin e kasave fiskale dhe ndryshim të sistemit fiskal.
Sipas Zotit Muça, vendimi i qeverisë për të futur në skemën e TVSH-së biznesin e vogël, ka shtuar shumë kostot për këto biznese dhe kanë çuar në falimentimin e 13 mijë biznesve të vogla vetëm këtë vit. Shoqata shprehu mbështetjen për protestën e studentëve:“Ne mbështesim edhe kauzën e studentëve, ndaj duke nisur nga dita e nesërme, të gjithë bizneset në të gjithë Shqipërinë do të solidarizohen me mbyllje qepenash fillimisht, e në rast të mosreagimi nga instancat përkatëse, do të kemi përshkallëzim të protestës në ditët e tjera.”
Vendimi për futjen e biznesit me xhiro nga 2 deri në 5 milionë lekë në vit, në skemën e TVSH u miratua nga shumica socialiste në dhjetor 2017. Vendimi filloi të zbatohej më 1 prill 2018. Shumë shoqëri të biznesit të vogël e kundërshtuan me argumentin se një masë e tillë do të rrisë çmimet e konsumit, duke prekur xhepat e të gjithë qytetarëve. Ndërsa Fondi Monetar Ndërkombëtar e konsideroi këtë hap të qeverisë si nder për bizneset e tregtisë me shumicë, që e shikon biznesin e vogël si një konkurrent të padrejtë për supermarketet e mëdha, duke qenë se këto të fundit janë të detyruar të derdhin TVSH mbi të njëjtin mall që biznesi i vogël e shet pa TVSH. Shpërndaje te miqtë
