“Nëse dy anëtaret nuk do të thirren nga Presidenti për të bërë betimin, do duhet të shkojnë në Gjykatën Kushtetuese për të marrë detyrën. Mendoj që fillimi i mandatit lidhet me momentin e zgjedhjes nga Kuvendi për dy anëtarët, por fillimi i mandatit duhet të lidhet ekzaktësisht me momentin kur Kuvendi ka bërë zgjedhje. Betimi është element ceremonial, solemn, por nuk mundet të bllokojë funksionalitetin e një organi kushtetues.“
Nëse deklarata e zotit Manja do të realizohet, kjo do të përbënte një tjetër shkelje flagrante të Kushtetutës dhe jurisprundecës së GJK. Kushtetuta është mjaft e qartë për momentin e fillimit të detyrës të anëtarit të GJK. Neni 129 i saj përcakton:“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.”Ky përcaktim kushtetues nuk lë asnjë dyshim se fillimi i detyrës së anëtarit të Gjykatës Kushtetuese lidhet ngushtësisht me momentin e betimit. Kjo do të thotë se nëse zonja Toska, zonja Vorpsi dhe zonja Papajorgji nuk do të betohen përpara Presidentit, ato nuk mund të ushtrojnë detyrën si gjyqtare kushtetuese e për rrjedhojë të marrin vendime. Ky përcaktim kushtetues është rikonfirmuar nga vetë Gjykata Kushtetuese e cila ka theksuar se betimi nuk është thjesht një procedurë formale, por është momenti i fillimit të ushtrimit të detyrës nga ana e funksionarit të zgjedhur. Në vendimin e saj të vitit 2016 për mandatin e ish deputetit të Partisë Socialiste Koço Kokëdhima, Gjykata Kushtetuese u shpreh në rastin analog të betimit të deputetëve:
“Në lidhje me momentin e fillimit të mandatit të deputetit, Gjykata ka vlerësuar se pasojat juridike të mandatit fillojnë në momentin që kandidati shpallet deputet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ). Nga ky moment ai është i detyruar të plotësojë të gjitha kërkesat kushtetuese e ligjore që lidhen me ndalimin e kryerjes së aktiviteteve të tjera apo deklarimet lidhur me interesat e tij financiarë siç parashikohet në nenin 70 të Kushtetutës dhe në ligjet e tjera përkatëse. [...] Momenti i betimit të deputetit shënon datën e fillimit të ushtrimit të detyrës së tij si deputet.”Nuk ka asnjë dyshim se anashkalimi i Kushtetutës dhe vendimeve të GJK të cilat kanë fuqinë e ligjit, për të mundësuar ngritjen në mënyrë të shpejtë GJK, cënon thelbësisht legjitimitetin e gjykatës më të rëndëshishme në vend.
