8 orë liri për të hyrë në Tiranë, nga mesnata deri në mëngjesin e të hënës

exit.al 13 Mars 2020, 17:40

Pas mesnatës së të dielës, qeveria do të hapë për 8 orë rrugët drejt Tiranës dhe Durrësit në mënyrë që t’u lejojë qytetarëve kthimin në banesat e tyre. Kryeministri Rama njoftoi përmes një postimi në Facebook, se rezidentët në Tiranë e Durrës të cilët kanë udhëtuar apo planifikuar fundjavën jashtë qytetit kanë kohë të rikthehen vetëm 8 orët e para të së hënës.

“Kush banon në Tiranë/Durrës dhe është larguar për fundjavë të gjatë në Korçë ose gjetkë, të sigurohet të hyjë në perimetrin e blinduar gjatë hapjes së rrugëve hyrëse, pas mesnatës së të dielës dhe jo më vonë se ora 8:00 e mëngjesit.”

Kryeministri thekson se rezidentët e Tiranës dhe Durrësit që janë aktualisht “brenda perimetrit” duhet të anulojnë lëvizjet jashtë sepse:

“[…] mund të mos rihyjë dot [pasi] sipas të gjitha gjasave perimetri Tiranë/Durrës do të mbyllet përsëri”.

Prej orës 6 të mëngjesit të së premtes qeveria ka ndaluar qarkullimin e të gjitha makinave dhe transportin urban në Tiranë, Durrës, Shkodër, Fier, Vlorë, Elbasan, Lezhë e Lushnje.