Shpërthen një fabrikë kimikatesh në Gjermani, një viktimë dhe katër të zhdukur

exit.al 27 Korrik 2021, 19:37

Të paktën një person është vrarë dhe katër mbeten të zhdukur pas një shpërthimi në një fabrikë kimikatesh në Gjermani.

Zyrtarët në qytetin e Leverkusen thonë se 16 persona u plagosën nga shpërthimi, i cili ndodhi rreth orës 9:40, raporton BBC.

Shpërthimi shkaktoi një zjarr që u desh disa orë për t'u shuar.

Policia u ka thënë banorëve të zonës që të qëndrojnë brenda dhe të mbyllin dritaret dhe dyert për shkak të lëndëve helmuese që mund të jenë lëshuar në ajër nga shpërthimi.

Rrugët përreth u mbyllën gjithashtu për disa orë. Terrenet e hapura të lojërave janë mbyllur dhe banorëve u është thënë të shpëlajnë frutat dhe perimet nga kopshtet e tyre para se t'i hanë.

Shkaku i shpërthimit në parkun industrial nuk dihet ende.

Sidoqoftë, qyteti i Leverkusen tha se çdo masë e marrë ishte vetëm si një masë paraprake pasi ende nuk ka sinjale alarmante për ndotjen.