Shpallet gjendja e fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin

exit.al 24 Mars 2020, 22:53

Qeveria shpalli, të martën në mbrëmje, gjendjen e fatkeqësisë natyrore në të gjithë vendin për shkak të krizës së koronavirusit.

Gjendja do të zgjasë për një periudhë 30 ditore nga dita e martë kur hyri në fuqi, pas botimit të menjëhershëm në Fletoren Zyrtare, por ajo mund të zgjatet më shumë nëse është e nevojshme.

Në vendimin janë autorizuar të gjitha masat e ndërmarra deri tani nga qeveria për kufizimin e lirive të njerëzve, përfshi kufizimin e lëvizjeve dhe të veprimtarive publike, dhe kufizimin e sipërmarrjes dhe veprimtarive ekonomike.

Vendimi përfshin një masë të re duke i dhënë të drejtën “strukturave operacionale të sistemit të mbrojtjes civile” të ushtrojnë kontrolle “të njëanshme të banesave dhe objekteve private për evidentimin dhe trajtimin e personave të prekur nga virusi”.

Të gjitha veprimet dhe masat do të koordinohen nga Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile (KNEC), i ngritur më parë me qëllim përballimin e fatkeqësisë së tërmetit të 26 nëntorit.