Shkodër, protestuesit përplasen me policinë

exit.al 19 Gusht 2019, 13:05

Qytetarët që po protesojnë në Shkodër kundër betimit të këshillit të ri bashkiak, janë përplasur me forcat e shumta të policisë.

Protestuesit tentuan të çajnë kordonin e policisë dhe të hyjnë brenda mjediseve ku këshilli i ri bashkiak po zhvillon mbledhjen e parë, por u ndaluan nga policia.

[caption id="attachment_56936" align="aligncenter" width="782"] Foto marrë nga OraNews[/caption]

Me pankarta e thirrje “Rama ik”, protestuesit shprehen se betimi i këshillit bashkiak dhe tentativa për të shkarkuar kryebashkiaken Voltana Ademi po bëhet në shkelje të ligjit.

Disa prej të rinjve që po protestojnë rrethuan Bibliotekën e Universitetit, ku po zhvillohet mbledhja e Këshillit Bashkiak, me një shirit të verdhë, nga ata që përdor policia në skenat e krimit.

Sipas tyre, shkarkimi i kryebashkiakes Ademi dhe marrja e drejtimit të bashkisë nga PS, në kushtet kur kandidati i saj Valdrin Pjetri u dorëhoq, është shkelje e ligjeve.

Fillimisht protesta e opozitës ka nisur e qetë, por më pas situata është tensionuar dhe protestuesit janë përplasur fizikisht me Policinë e Shtetit.

Ndërkohë brenda universitetit vazhdon konstituimi i këshillit bashkiak. Siç Exit.al ka shpjeguar më parë, Ligji për Vetëqeverisjen Vendore përcakton qartë se Këshilli i ri bashkiak që po konstituohet në këto momente nuk mund të vendosë për përfundimin e mandatit të kryebashkiakes Ademi.