13 janar 2018, atentat kundër biznesmenit Lulzim Kulla në afërsi të tregut popullor të qytetit të Shkodrës.
Qershor 2018, zhduken pa gjurmë Gëzim Hysa dhe nipi i tij Agron Molla.
18 qershor, ekzekutohet me armë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi.
15 korrik, vriten në një atentat, në hyrje të banesës, ish-polici Boran Bercana dhe Silvi Ndoci, bashkëjetuese me të.
8 gusht 2018, vritet Fatbardh Lici, kunati i Lulzim Kullës dhe vëllai i Mustafë Licit. Ky i fundit këshilltar bashkiak dhe drejtues i një partie politike me shtrirje lokale.
1 shtator 2018, vritet biznesmeni Arjan Ferracaku teksa po kaloronte bashkë me Asmir Bilalin. Dyshohet se autorët e atentatit ngatërruan shenjestrën.
14 nëntor 2018, në tregun popullor të Rusit vritet Fatos Ferracaku, kushëriri i Arjan Ferracakut.
20 mars 2019, në fshatin Grudë vritet Nard Polia, pronar i një bujtine në Theth, pjesëtar i administratës së Zonave të Mbrojtura.
30 mars 2019, vriten në derën e shtëpisë së tyre vëllezërit Bilali.
Policia nuk ka arritur të parandalojë asnjë prej këtyre ngjarjeve të rënda kriminale që kanë tronditur banorët e Shkodrës dhe që kanë patur jehonë brenda dhe jashtë vendit. Vrasja e biznesmenit Arjan Ferracaku, në fillim të muajit shtator të vitit të kaluar, dhe tronditja e sigurisë në Shkodër ishin arsyet që opozita e bashkuar bojkotoi seancën plenare të sesionit të ri parlamentar. Përfaqësuesit e opozitës u mblodhën në Shkodër duke denoncuar situatën kriminale në këtë qytet dhe duke akuzuar qeverinë si të lidhur me krimin. Duket se ky tensionim i situatës politike në vend i dha shtysë policisë që të nisi me shpejtësi operacionin “Oazi” për shkatërrimin e njërit prej grupeve më të fuqishëm, grupit Bajri. Operacioni policor, një ndër më të mëdhenjtë e zhvilluar vitet e fundit në Shqipëri, u shtri në Shkodër, Tiranë, Spanjë dhe Roterdam të Holandës duke çuar në arrestimin e 12 anëtarëve të këtij grupi, përfshirë edhe drejtuesit e tij. Kjo duket se qetësoi për disa muaj situatën e rendit në qytetin e Shkodrës, derisa në mëngjesin e të shtunës, 30 mars 2019, u vranë dy vëllezërit Bilali, ngjarje kjo që risolli në vëmendje deklaratën e ish-Ministrit Xhafaj se në Shkodër vepron jo një, por katër grupe kriminale. Ndryshe nga sa pritej, operacioni policor i koduar “Oazi” nuk i dha fund vrasjeve dhe as hakmarrjes mes grupeve kriminale të Shkodrës. Këtë e pranoi edhe vetë Ministri Lleshaj në ditën e vrasjes së vëllezërve Bilali kur tha se “ megjithë goditjet që i janë dhënë krimit në Shkodër, prapë rezulton që lufta ndaj këtij krimi nuk është fituar ende. Metastazat e këtij krimi treguan se janë gjallë dhe kanë mundësi të godasin”. Publikuar më parë nga Zëri i Amerikës. Shpërndaje te miqtë
