Shehaj kundër fushatës së tatimeve në sezon turistik: arbitraritet kriminal ndaj biznesit

exit.al 9 Gusht 2019, 17:12

Aksioni fiskal i qeverisë në kulmin e sezonit turistik është kritikuar sot ashpër nga ish-deputeti i Vlorës Agron Shehaj. Ish-deputeti demokrat e konsideroi aksionin arbitrar, kriminal dhe të motivuar vetëm nga interesa personale të vetë Kryeministrit Rama. Në postimin e tij Shehaj thotë:

Regjimi i Edi Ramës ka gjobitur dhe mbyllur qindra biznese në mënyrë arbitrare dhe selektive. Aksioni kundër gjithë industrisë së turizmit të Vlorës dhe gjithë bregdetit të Jugut, në kulmin e sezonit turistik, është goditje për dhjetra mijëra familje vlonjate dhe gjithë bregut deri në Ksamil.

Fushata kundër informalitetit që është pagëzuar nga qeveria si "fiskalizimi" është përqëndruar dy javët e fundit në zonat turistike më të frekuentuara në jug të vendit. Tatimet, bashkë me vetë Ministren e Financave Anila Denaj kanë bllokuar shumë biznese duke cënuar rëndë klimën e të bërit biznes në kulmin e sezonit turistik. Aksioni është shoqëruar gjithashtu me një mobilizim të theksuar të forcave të policisë, të cilët kanë larguar në shumë plazhe çadra dhe shezllone të bizneseve private. Kjo mënyrë e sjelljes me biznesin sipas Shehajt është kriminale:

Aksioni është arbitrar dhe kriminal i motivuar vetëm nga interesa personale dhe një kënaqësi perverse e Edi Ramës, për të treguar që është ai Zoti dhe pronari i Shqipërisë e çdo shqiptari.

Në postimin e tij ish-deputeti i Vlorës thekson se evazorët më të mëdhenj në vend janë oligarkët që përfitojnë nga lidhjet me pushtetin.

Evazorët janë klientët e Edi Ramës që ndërtojnë pallate dhe fshatra turistike me para të pista që u dhurohen ministrave dhe funksionarëve të korruptuar.

Që pas ardhjes në pushtet, projektet e Kryeministrit Rama kanë trazuar shpesh Vlorën në sezonin turistik. Zvarritja e theksuar e ndërtimit të rrugëve dhe sidomos Lungomares, dëmtoi një sërë biznesesh për disa sezone turistike me radhë, kjo derisa projekti u mbyll.