Rinis transporti publik në Tiranë, për korrikun nuk ka abone

exit.al 6 Korrik 2020, 08:53

Prej të hënës 6 korrik, në Tirana ka nisur punën transporti publik.

Pas marrëveshjes së arritur me bashkinë e Tiranës për të ndryshuar disa nga protokollet e punës dhe për të marrës një pagë të dytë lufte, kompanitë e transportit kanë rifilluar shërbimin.

Për muajin korrik, qytetarët nuk do të mund të blejnë abone, ndaj do të duhet të paguajnë biletën prej 40 lekësh sa herë që udhëtojnë.

Respektimi i protokolleve nga ana e pasagjerëve do të monitorohet nga policia bashkiake.

Me ndryshimin e protokolleve, në rast shkeljeje, përgjegjësia bie mbi pasagjerin.

Rregullat që do të duhet të ndiqen nga kompanitë dhe udhëtarët janë këto:

- Në automjete do të lejohen të udhëtojnë me 70 për qind të kapacitetit të udhëtarëve.

- Ulja e udhëtarëve do të jetë në mënyrë diagonale.

- Çdo pasagjer duhet të jetë i pajisur me maskë dhe doreza, si në vendin e pritjes së autobusit, ashtu dhe brenda tij.

- Pasagjerët duhet të mbajnë distancë 1 metër nga njëri-tjetri brenda në autobus.

- Drejtuesi i mjetit dhe fatorinoja duhet të të jenë të pajisur me maska dhe doreza.

- Në autobuzë dhe mjete të tjera të transportit duhet të ketë dezinfektantë dhe duhet të jenë të shenjuara vendet ku lejohen të ulen udhëtarët.

- Gjatë udhëtimit, ajrimi i autobuzëve dhe mjeteve të tjera do të bëhet përmes dritareve dhe jo kondicionerit.

- Në rast të shkeljes së rregullave, çdo pasagjer do të mbajë përgjegjësi personale.

- Në çdo mjet do të ketë postera me udhëzimet e OBSH-së për rregullat e higjienës dhe distancimit social.

 

Shpërndaje te miqtë