- Zhvlerësimi i përgjimeve si një rast i rëndomtë, që i ndodh çdo politikani në pozitën e tij, ku dy kriminelë i mburren njëri-tjetrit mbi njohjet e tyre politike;
- Aludimi se këto përgjime bëhen edhe më të pavlefshme si prova, në momentin kur në vendin tonë politikanët nuk janë dënuar, megjithse janë kapur me zë dhe figurë duke kryer krim.
“Detaje të forta vijnë nga treshja e Prokurorëve që i kërkon Këshillit të Mandateve të heqin imunitetin dhe të arrestojnë ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Besim Hardarmataj nga Tropoja është kushëriri i dytë Sali Berishës, i denoncuar nga Artan Hoxha në televizion si njeriu që i coi fotot e videot Berishës nga operacioni i Babicës sëVogël.
Elisabeta Ymeraj nga Tropoja është pjestare e Grevës së Urisë të Shkelzen Berishës në vitin 1999. Gruaja e Agron Bajrit, Kushëri i dytë i Shkëlzen Berishës.
Gentian Osmani nga Tropoja, shok klase i Shkëlzen Berishës. Ka mbyllur çështjen e Gjin Gjonit në Elbasan në 2014 së bashku me Bledar Mustafarajn. Asokohe Gentian Osmani ka qenë kryeprokuror rrethi ndërsa Bledar Mustafaraj prokuror i çështjes.”
Duke vendosur një lidhje të prokurorëve me ish-Kryeministrin Berisha, - i cili përveçse i dyshuar së bashku me të birin për aferën e Gërdecit dhe vrasjen e demostruesce të 21 janarit, gjithashtu ishte i përfshirë në mbrojtjen e Ilir Metws gjatë skandalit të referuar si “7 përqindëshi”, ku ky i fundit u kap në kamera duke marr rryshfet, - qeveria relativizon krimin për të cilin ish-ministri Tahiri dyshohet, duke e futur atë në shinat politike. Ky ishte vetëm preludi i asaj që erdhi më pas, që ishte angazhimi masiv në rrjetet sociale të mbështetësve të qeverisë për të shpërndarë artikuj të porositur dhe për të akuzuar “opozitën” si shpifësen e gjithë akuzave. Edhe njëherë publiku i keqinformuar shqiptar, i paaftë të kërkojë drejtësi, u nda në dy transhe, që sulmojnë njëra-tjetrën për llogari të politikanëve. Jo vetëm kaq, por u inkurajua grumbullimi i mbështetësve të ish-ministrit Tahiri, i cili akuzohet për “pjesëmarrje në trafikun e lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim me grup të strukturuar kriminal” dhe “korrupsion pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”. Qartësisht, po të vërtetohet akuza, ish-ministri Tahiri nuk ka vepruar i vetëm, por ka patur plotë bashkëpunëtor e mbështetës të tij, të cilët kanë qënë bashkëfajtor në grada të ndryshme në krimet e dyshuara. Kjo situate do të detyronte çdo qeveri që të shkurajonte shfaqje të tilla deri në zbardhjen e plotë të fakteve. Përkundrazi, të gjitha mediat pranë qeverisë e kanë interpretuar mbështetjen si tregues të suksesit të Zotit Tahiri si ish-Ministër i Brendshëm, e jo si një skemë të mirëmenduar nga persona të përfshirë në krim. Në aktin që pasoi, qeveria vazhdoi të uli besueshmërinë e akuzës edhe gjatë seancës, po nëpërmjet mediave te saj, që publikuan pjesë të përzgjedhura nga fjala e prokurorëve, duke i akuzuar ata si qesharak dhe pa fakte. Ndërkohë që, vetë zhvillimi i seancës ishte një abuzim i pastër me ligjin gërshetuar me presion direkt ndaj prokurorëve, që u shndërruan në pak orë nga organ akuze, në të akuzuar që duhet t’i përgjigjeshin madje edhe pyetjeve të vetë të dyshuarit Zoti Tahiri e avokatit të tij. Një procedurë, që ka për qëllim t’i jap një dorë hallkës gjyqësore në hetimin e pavarur të të dyshuarëve me pushtet politik, rezuloi në keqinformimin e publikut mbi kompetencat e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, duke i mveshur këtij të fundit atribute juridike që nuk i ka. Njëkohësisht janë një sërë aspektësh të tjera, të cilat mediat e blera të qeverisë injorojnë, në përpjekjen për të keqinformuar vazhdimisht publikun për arsye përfitimi, më saktë faktin se:- Dosja e akuzave u përgatit dhe erdhi nga Guardia di Finanza e Italisë, së bashku me përgjimet dhe të gjitha detajet, të cilat përbëjnë sekret hetimor e nuk i janë zbuluar publikut;
- Prokuroria shqiptare ka patur mundësi edhe më përpara për të zhvilluar një hetim të plotë ndaj ish-Ministrit Tahiri, por për shkak të presioneve politike ajo nuk ka guxuar.
- Si rrjedhim, kjo kryqëzatë as nuk është e përgatitur nga opozita e as mori jetë për shkak të guximit të Prokurorisë shqiptare. Ajo u detyrua të niste hetimet nga faktorë të jashtëm. Si çdo opozitë, edhe ajo e jona, thjeshtë pa një shans për të reaguar.
- Sado e dhimbshme të jetë moszgjidhja e çështjeve delikate, për të cilat janë akuzuar Sali Berisha, Lulzim Basha e Ilir Meta, ato nuk kanë asnjë lidhje me krimin për të cilin akuzohet Saimir Tahiri në sy të ligjit. Sipas këtij të fundit, dështimi për të proceduar një apo disa politikanë më parë, nuk është arsye për mos hetimin apo dënimin e të tjerëve. Ky është një pretendim absurd, që i shërben vetëm paprekshmërisë së politikanëve, të gjithë politikanëve.
- Këto shkrime injorojnë faktin se Edi Rama ka patur plotë mundësi të veprojë për rihapjen e çështjeve të Gërdecit, të 21 janarit apo 7 përqindëshit siç premtoi, por ka zgjedhur të përfitojë politikisht prej tyre dhe e ka vulosur duke votuar në heshje ligjin 449, që pengon rihapjen e çështjeve të vjetra hetimore, sidomos nëse ato rëndojnë pozitën e të akuzuarit.
- Nëse qeveria do të ishte e sinqertë në deklaratën e saj për të gjetur të vërtetën (apo për të zbatuar reformën në drejtësi), minimalisht ajo do t’i krijonte kushte Prokurorisë për të zhvilluar hetimet pa ndërhyrje politike. Sulmi ndaj Prokurorisë është jo vetëm në kundërshtim me parimet demokratike, por të frymës së ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.", që në nenin 13 të tij përcakton pavarësinë e këtij organi.
- Ndryshe nga sa pretendohet, Prokuroria e ka për detyrë të hetojë persona/politikanë edhe bazuar në informacionet që qarkullojnë në opinionin publik. Ajo verifikon nëse ka një dyshim të arsyeshëm për të hapur një çështje apo për të ndaluar të dyshuarin nëse ai rrezikon hetimin. Provat e mbledhura shqyrtohen në gjykatë, ku akuza ballafaqohet me mbrojtjen, duke i dhënë mundësi gjykatës të vlerësojë mbi fajësine apo pafajësinë e të dyshuarit.
- Precedenti i interpretimit selektiv të ligjit kur bëhet fjalë për politikanët apo shpërfillja e tij është i rrezikshëm sepse injoron Kushtetutën dhe parimet e drejtesise duke trajtuar opinionin publik, qëllimisht e lehtësisht të keqinformuar, si autoritet për të vendosur për fajësinë ose pafajësinë e një politikani, çështje për të cilin ai nuk ka mandat kushtetues për të vendosur e as kompetencë.
