Raporti PISA, nxënësit shqiptarë nën nivelin mesatar të dijeve

exit.al 4 Dhjetor 2019, 19:00

Raporti ndërkombëtar vjetor “Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve” (PISA), që mat dhe vlerëson aftësitë e 15 vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë, e rendit Shqipërinë nën nivelin mesatar të dijeve. Ndër 79 vende të botës, Shqipëria renditet në vend të 61-të, nën nivelin mesatar në matematikë, lexim dhe në shkencë. Në rajon, vendi jonë ka lënë pas vetëm vende si Maqedonia, Kosova, Algjeria. Shqipëria në lexim bën pjesë në nivelin e parë me 405 pikë. Në këtë nivel, nxënësit mund të dallojnë qëllimin e autorit, idenë kryesore, dhe mund të bëjnë lidhje të informacionin në tekst me dijen e përditshme. Në matematikë, Shqipëria renditet në nivelin e dytë me 437 pikë:

"Nxënësit mund të interpretojnë dhe të njohin situata të drejtëpërdrejta. Ata mund të nxjerrin informacionin e rëndësishëm vetëm nga një burim dhe mund ta përdorin vetëm në një prezanitm. Mund të bëjnë veprime bazë matematikor. Bëjnë arsyetim të drejtpërdrejtë."

Në shkencë renditet në nivelin e dytë me 417 pikë:

"Nxënësit dinë të shpjegojnë dukuritë bazike të shkencës. Ata mund të bëjën arsyetim jo abstrakt për zgjidhjen e problemeve teknologjike ose shkencore."

Të dhëna të tjera janë:

 - Përqindja e mësuesve me diplomë master është më e lartë se sa mesatarja e OECD-së;

 - 7 përqind e nxënësve raportojnë se janë përherë viktima të bullizmit;

 - 60 përqind e nxënësve thonë se të mësuarit nuk preket nga sjellje frikësuese dhe nga bullizmi i nxënësve të tjerë;

 - 86 përqind e nxënësve shprehen kundra bullizmit;

 - 95 përqind e nxënësve shprehen se janë të lumtur me jetën e tyre;

 - 48 përqind e studentëve emigrant raportojnë se janë në mënyrë të vazhdueshme pre e bullizmit, ndërsa vetëm 25 përqind e nxënësve jo emigrant raportojnë se janë pre e bullizmit;

 - Në Shqipëri klima e disiplinës është përmirësuar ndjeshëm nga 2009 në 2018;

 - Konkurrenca mes studentëve është më e lartë në Shqipëri, Kinë, Jordani, Kore, Malajzi, Norvegji, Singapore, dhe SHBA;

 - Në vetëm 6 vende, Shqipëri, Jordani, Malajzi, Marok, Maqedonia e Veriut, dhe Turqia, vajzat kanë marrë nota më të larta se sa djemtë;

 - Të paktën 6 në 10 prindër diskutojnë me nismën e tyre progresin e fëmijëve;

 - Më pak se një në 4 prindër aktivizohen vullnetarisht në aktivitete jashtëshkollore;

 - Në Shqipëri, Kazakistan dhe Hollandë më pak se 6 përqind e studentëve raportojnë se nuk janë të kënaqur me jetën e tyre;

 - Studentët 15 vjeçarë në vende në të cilat performanca në lexim është me e ulët se mesatarja e OECD, si Shqipëria shprehen më shumë vetë besim në aftësitë e tyre të përgjithshme në krahasim me studentët në vendet e tjera të OECD.