Ramush Haradinaj refuzon takimin me Ramën

exit.al 30 Qershor 2020, 09:11

Ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka refuzuar takimin me kryeministrin Rama, i cili ndodhet për një vizitë në Kosovë. Gjatë një interviste në Debat Plus, Haradinaj tha se nuk ka logjikë një takim mes tyre, pas padisë që Rama i ka bërë Haradinajt për shpifje:

“Është e pamundur me u takua i padituri me paditësin. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Nuk ndihem mirë që si i paditur të takohem me askënd e as me zotin Edi Rama.”

Në janar 2020, Kryeministri Edi Rama paditi Ramush Haradinajn, në atë kohë ende kryeministër, në gjykatën e Kosovës për shpifje. Rama u shpreh që në tetor të 2019, në emisionin Opinion se do ta padiste Haradinajn, për deklaratën se kryeministri Rama në bashkëpunim me Vuçiçin dhe Thaçin do të grabisnin 10 miliardë € gjatë ndarjes së Kosovës. Pas lajmit të padisë, Kryeministri Haradinaj deklaroi se “padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diverzion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë”. Kjo është hera e parë në historinë e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri që një kryeministër shqiptar padit homologun e tij. Shpërndaje te miqtë