Rama: Histeria fashiste tani më akuzon se kam krahasuar Dua Lipën me Bregovicin

exit.al 24 Gusht 2021, 12:00

Kryeministri Edi Rama e quajti “histeri fasishte”, akuzat e rreme ndaj tij se krahasoi Dua Lipën me këngëtarin boshnjak Goran Bregovic.

Në një koment në Facebook, Rama u shpreh se “ashtu siç bënë Bregoviçin kriminel serb pa asnjë fakt, tani sokëllijnë që unë paskam barazuar Dua Lipën me të”.

Ai u shpreh se “njësoj krejt janë ata që shajnë e mallkojnë, në serbisht a në shqip, artistët e sportistët me emër të palës tjetër! Histeri fashiste që as nuk e mbron, as e nderon, po vetëm e turpëron shqiptarinë, e cila s’mund të jetë kurrë shembëlltyrë e urrejtjes”.

Të hënën, Rama shkroi një koment se si “politika qorre” ka krijuar “armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë - thënë aq bukur nga një prej zjarrnxitësve mendjefikur”.

Ai i quajti komentet “një histeri fashiste, e turpshme per qytetarinë europiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën tonë po ashtu, e cila fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë”.

Rama u shpreh se nuk ka asnjë dallim nga ata që shajnë në serbisht Dua Lipën dhe në shqip Goran Bregovic.