Rama dhe opozita parlamentare: Votojmë marrëveshjen e 5 qershorit dhe listat e hapura

exit.al 21 Korrik 2020, 20:00

Shumica socialiste dhe opozita parlamentare arritën marrëveshjen për miratimin e marrëveshjes së 5 qershorit dhe të ndryshimeve kushtetuese.

Në marrëveshjen e publikuar nga Ballkanweb, Kryeministri Edi Rama dhe kryetarët e grupeve parlamentare Myslim Murrizi, Edmond Stojku, dhe Nimet Musai, pas takimit në orën 19:00, në kryesinë e Kuvendit kanë vendosur:

1 – Të miratojnë më 23 korrik në Kuvend, marrëveshjen e 5 qershorit mes, PD, PS, LSI dhe deputetes Rudina Hajdari.

2 — Të miratojnë më 30 korrik ndryshimet kushtetuese për listat e hapura të propozuara nga 28 deputetë të opozitës parlamentare dhe të mbështetur nga Partia Socialiste.

3 — Të vazhdojnë dialogu ndërpartiak për arritjen e një dakordësie për ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri më herët u takua edhe me Ambasadoren amerikane Yuri Kim. Sipas mediave tema e takimit ka qënë reforma zgjedhore dhe marrëveshja e 5 qershorit.

Ndërsa të hënën ai u takua edhe përfaqësuesit e opozitës parlamentare në Këshillin Politik pa arritur në një dakordësi për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve.

Shpërndaje te miqtë