- Ministria e Mjedisit dhe Këshilli i Ministrave nuk morën mendim nga Bashkia Skrapar, nuk kryen as konsultim publik me komunitetin e zonës, pronarët privatë dhe grupet e interesit.
- Propozimi i Ministrisë së Mjedisit kaloi në Këshillin e Ministrave pa pasur vendim nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
- Ministria e Mjedisit nuk e mbështeti propozimin me studime paraprake apo të thelluara nga komuniteti shkencor.
- Këshilli i Ministrave e mori vendimin pa argumentuar vlerat e biodiversitetit që u kërkua të mbrohej.
1. Miratimi i ndryshimit të sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore, zgjerimi ose pakësimi i saj bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrit ku argumentohet nevoja e ndryshimit konkret që do të përmirësojë rrjetin dhe mbrojtjen e zonës pas vendimit të KKT-së për ndryshimin e sipërfaqes së zonës së mbrojtur mjedisore.
2. Propozimi për ndryshimin e sipërfaqes së zonës konsultohet paraprakisht me komunitetin vendas, me pronarët, pronat e të cilëve, sipas rastit, përfshihen ose hiqen nga sipërfaqja e zonës, me subjektet që ushtrojnë veprimtari brenda zonës, me institucionet shkencore, me organet e qeverisjes vendore ku shtrihet zona dhe argumenton nevojën e ndryshimit.
Në rastin e zgjerimit të parkut kombëtar të Malit të Tomorrit, Ministria e Mjedisit anashkaloi KKT-ën dhe konsultimet me të gjitha kategoritë e përmendura në ligj. Ndërkohë, nëse në vitin 2012 qeveria e kishte zgjeruar parkun duke respektuar të gjitha procedurat administrative dhe duke mbështetur vendimin me studime shkencore. Në rastin e fundit, Ministria e Mjedisit i ka anashkaluar procedurat duke e dërguar propozimin direkt në Këshill të Ministrave dhe duke e mbështetur atë vetëm me një relacion me 5 fletë, pa konsultime, studime apo opinione nga bota akademike. Asgjë nuk e pengonte Ministrinë dhe qeverinë që të ndiqnin të gjitha hapat e parashikuara në ligj për këtë çështje. Qeveria i ka patur të gjitha mundësitë të nxiste dhe kryente studime të thelluara për gjithë zonën, qoftë edhe atë jashtë parkut ku aktiviteti i guroreve i ka shkaktuar dëme të rënda peizazhit natyror. Që prej vitit 2017 Ministria e Mjedisit është përpjekur në mënyrë të pasuksesshme që të mbyllë aktivitetin e dhjetëra guroreve jashtë parkut kombëtar të Malit të Tomorit. Ministria pati vendosur masa pezullimi të aktiviteteve, por pezullimet u hodhën poshtë nga gjykatat, kryesisht me argumentin se kompanitë ishin të licencuara.
