Qeveria Rama gati njësinë speciale anti-korrupsion

exit.al 14 Shkurt 2020, 20:20

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi sot se qeveria po punon për një njësi të re kundër korrupsionit dhe krimit ekonomik:

“Njësia është në krijim e sipër kështu që nuk mund të them sesi do të jetë trajta përfundimtare e saj, por bëhet fjalë për krijimin e një strukture, e cila do të adresojë krimin ekonomik dhe korrupsionin, dy fusha që meritojnë qasje të re.”

Ministri Lleshaj deklaroi se lufta kundër krimit e korrupsionit është prioriteti i qeverisë për vitin 2020. Kjo do të jetë njësia e dytë special që qeveria krijon brenda pak javësh. Njësia e re Speciale Antikorrupsion dhe Antievazion që do të pasojë Operacionin Forca e Ligjit, njësinë special kundër krimit të organizuar dhe pasurive të vëna përmes krimit. “Njësia speciale” e dytë e qeverisë Rama vjen në një kohë kur nisma e tij për të luftuar krimin e organizuar ka ngjallur shqetësim se ai po synon të përqendrojë, jashtë sistemit të drejtësisë dhe krejtësisht pa mbikëqyrje, kompetencat e një policie sekrete dhe shërbimi inteligjence.