Qeveria kujtohet vonë, vendos t'i shpërblejë pensionistët pas festave

exit.al 24 Dhjetor 2019, 19:54

Qeveria vendosi sot, një ditë përpara Krishtlindjes, të miratonte shpërblimin me 3 mijë lekë për pensionistët, por duke parë kalendarin është pothuajse e pamundur që ato të shpërndahen përpara festave. Instituti i Sigurimeve Shoqërore deklaroi pasditen e sotme se shpërndarja e shpërblimeve do të niste më 25 dhjetor, pra për Krishtlindje dhe do të bëhej sipas këtij grafiku:
  • 25 dhjetor tërheq shpërblimin kush ka datën e pensionit dhe kushdo që ka tërhequr pensionin në datën 1-5 dhjetor
  • 26 dhjetor tërheq shpërblimin kush ka datën e pensionit dhe kushdo që ka tërhequr pensionin në datën 6-9 dhjetor
  • 27 dhjetor tërheq shpërblimin kush ka datën e pensionit dhe kushdo që ka tërhequr pensionin në datën 10-13 dhjetor
  • 28 dhjetor tërheq shpërblimin kush ka datën e pensionit dhe kushdo që ka tërhequr pensionin në datën 14-16 dhjetor
  • 30 dhjetor tërheq shpërblimin kush ka datën e pensionit dhe kushdo që ka tërhequr pensionin në datën 17-20 dhjetor
  • 31 dhjetor tërheq shpërblimin kush ka datën e pensionit dhe kushdo që ka tërhequr pensionin në datën 21-24 dhjetor
Janë mbi 600 mijë pensionistë të cilët pritet që të tërheqin shpërblimet për 6 ditë. Vitet e shkuara shpërblimi për festat caktohej kryesisht në fillim ose në mes të muajit, duke i lënë kohë edhe Postës Shqiptare që të hartonte grafik pagesash për shpërndarjen e tyre. E vetëdijshme se i ashtuquajturi “shpërblim për festat” mund të mos tërhiqet për festa, qeveria ka parashikuar që shpërndarja të bëhet edhe në fillim të vitit 2020. Në aktin normativ thuhet:

“Bonusi i pensionistëve, në masën 3 000 lekë për pensionist, zbatohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Posta Shqiptare, sh.a. Pagesat respective kryhen në muajin dhjetor të vitit 2019 dhe gjatë fillimit të vitit 2020.”