Protesta për Teatrin, qeveria përdori kundër qytetarëve edhe policinë private

exit.al 24 Korrik 2019, 18:54

Qeveria përdori kundër qytetarëve që po mbrojnë Teatrin Kombëtar, në shkelje të ligjit, policinë private, e cila nuk është e specializuar për situatat e tubimeve. Sipas ligjit, qeveria duhet të përdorë policë të specializuar, të pajisur me uniforma të veçanta dhe mjete për kontrollin e turmave në protestë. Mediat publikuan sot foton ku një prej punonjësve të kompanisë private 'Nazeri 2000' goditi me grusht regjizorin Robert Budina, i cili po përpiqej sëbashku me disa dhjetra qytetarë të hynte brenda godinës së Teatrit. Prania e punonjësve të policisë private në situatat e përballjes me turmat e qytetarëve është e paligjshme. Sipas ligjit 'Për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike', neni 27, "Punonjësi i shërbimit privat të sigurisë fizike vepron me cilësinë e rojës, të truprojës, të operatorit, të shoferit, si mbajtës i qenit, si dhe të përgjegjësit të shërbimit [..]". Ligji nuk përcakton përdorimin e policisë private në përballjet me qytetarët. Kjo nuk është hera e parë që policia private përplaset me qytetarët që janë angazhuar për të mbrojtur Teatrin Kombëtar. Në muajin maj, punonjësit e po kësaj policie private dhunuan qytetarët të cilët po përpiqeshin të rivendosnin gërmat e reja të Teatrit, të cilat ishin vjedhur në mbrëmje pa u pikasur nga kjo polici private. Por sipas ligjit “Për shërbimin privat të sigurisë fizike” Neni 27, punonjësi i policisë private vihet në dispozicion të policisë së shtetit:

dh) sa herë që kërkohet, për parandalimin e veprave penale dhe zbulimin e ngjarjeve të ndodhura në mjedisin ku kryen detyrën ose në ato të lidhura me detyrën.

Pra nëse i referohemi këtyre përcaktimeve ligjore dhe e krahasojmë me dinamikën e situatës që ishte sot, policia private u përdor në shkelje të ligjit jo vetëm për sa i përket funksioneve të saj por edhe për sa i përket "vënies në dispozicion" të policisë së shtetit. Kompania Nazeri 2000 u bë e njohur për mediat, për faktin se në dy nga tre grabitjet e ndodhura vitet e fundit në aeroportin e Rinasit, ajo ka qenë ngarkuar të siguronte paratë. Në vitin 2016 asaj iu vodhën 3 milionë euro, ndërsa në prill të vitit 2019 pesë milionë. Shpërndaje te miqtë