Italianët e izoluar në të gjithë vendin po gjejnë mënyra origjinale për të mbështetur dhe ngritur moralin njëri-tjetrit. Një nga shfaqjet më mbresëlënëse janë ato të intepretimeve kolektive nëpër ballkone.
Duke u koordinuar përmes rrejteve sociale, italianët dolën të premten në orën 18.00 për të kënduar himnin e tyre kombëtar "Il canto degli Italiani" duke shpalosur flamurin trengjyrësh.
Një ditë më pas, të shtunën në orën 12.00, të dakordësuar paraprakisht, ata u shfaqën në ballkone anembanë Italisë për një duartrokitje masive kushtuar mjekëve, infermierëve dhe personelit mjekësor, që po punon papushim në shërbim të të prekurve nga koronavirusi.
Koncertet e improvizuara në të gjithë vendin vazhduan të shtunën dhe të dielën në të njëjtin orar, me këngë te famshme si "Azzuro" të Celentanos apo "Il cielo é sempre più blu" të Rino Gaetanos, apo këngë ritmike si Makarena e deri tek pjesët klasike të Verdit e Pucinit.
Këto shfaqje popullore mbresëlënëse u pasqyruan nga mediat e të gjithë botës, çfarë nxiti imitime të tyre kudo.
Nuk vonoi që të njëjtat ide të kopjoheshin edhe në vendin tonë.
Propozimin e parë publik për të imituar italianët duke dalë në ballkon në shenjë falenderimi ndaj mjekëve e personelit mjekësor e bëri emisioni "Betimi i Hipokratit" në Top Channel.
Në orën 17:30 të së shtunës, 14 mars, qindra qytetarë iu përgjigjën thirrjes dhe dolën për të duartrokitur.
Por ajo që e bëri imitimin e nxitur nga “lart” të asaj që në Itali lindi natuyrshëm dhe u organizua spontanisht ishte përfshirja e qeverisë, pavarësisht qëllimit të mirë propagandistik të saj.
Në përgjigje të ftesës së Top Channel, ra në sy Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu dhe stafi i saj që doli para ndërtesës së ministrisë për të duartrokitur duke e shpërndarë pastaj videon në rrjetet sociale.
Të nesërmen ishte Ministrja e Kulturës Margariti e cila, nën motivin "bëjmë muzikë nga shtëpia", u bëri thirrje në rrjetet sociale të gjithë instrumentistëve për të luajtur nga shtëpia me qëllim për "të zgjuar qytetin me tingujt e tyre!" Më pas ministrja vijoi të publikojë në profilin e saj zyrtar videot e qytetarëve teksa luanin instrumente të ndryshme.
Po ditën e djelë, Bashkia Tiranë apo qeveria kishte pajtuar një furgon me altoporlantë që lëshuan mbi qytet Himnin e Flamurit, megjithëse situata e koronavirusit në vend nuk paraqitetet ende aq dramatike sa në Itali, ku mbi 600 persona humbën jetën vetëm në fundjavë.
[embed]https://youtu.be/B4Rw73iNFX4[/embed]
Një javë më pas, të hënën herët në mëngjes, Kryeministri postoi në faqen e tij në Facebook një video ku këngëtarët e Teatrit të Operës dhe Baletit këndojnë këngën Dua më shumë Shqipërinë secili nga shtëpia e vet, të regjistruar me kamera profesioniste dhe të montuar në studio profesionale.
Pra, në këtë periudhë krize qeveria ka angazhua ekipe me kamera që kanë xhiruar me orë të tëra nëpër shtëpitë e artistëve për të prodhuar një vieo që në fund ishte pa jetë, pa passion, pa emocion.
Mënyra e komanduar apo ndoshta fakti që gjendja në Shqipëri është nën kontroll, të paktën tani për tani, ndoshta bënë që nismat e qeverisë të mos kishin ndikimin e synuar pasi u përcollën pak nga qytetarët.
Arsyeja kryesore, ndoshta mund të jetë që solidariteti njerëzor nuk mund të krijohet në mënyrë artificiale, ai mund të burojë vetëm nga përjetimet e sinqerta dhe reagimet e natyrshme me vullnetin e lirë të vetë njerëzve.
