E drejta e pronës private është e garantuar.
dheShpronësimet ose ato kufizime të së drejtës së pronës që barazohen me shpronësimin, lejohen vetëm përkundrejt një shpërblimi të drejtë.
Kushtetuta lejon shpronësim vetëm pasi pronarëve t’u jetë paguar dëmshpërblim i drejtë. Në rastin konkret, banorët megjithëse kanë marrë njohuri mbi shpronësimin, ata e kanë ankimuar atë në gjykatë. Këshilli i Ministrave miratoi vendimin nr.557 në vitin 2017 në të cilin nuk përcakton afatet dhe procedurat për dëmshpërblimin në shkelje të ligjit “Për shpronësimet” që përcakton qartë se:“Vendimi i shpronësimit duhet të përmbajë:
… c) masën e shpërblimit për pronarët që shpronësohen, për pronarët e pasurive që zhvlerësohen, për personat e tretë që kompensohen për të drejtat e tyre për shkak të pronësimit, si dhe afatin dhe mënyrën e pagimit të tyre;”
Po ashtu e drejta e strehimit është e sanksionuar në Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, Neni 8 i së cilës shprehet:"Çdokush ka të drejtën e respektimit të jetës së tij private dhe familjare, banesës dhe korrespondencës së tij."
dhe"Autoriteti publik nuk mund të ndërhyjë në ushtrimin e kësaj të drejte, përveçse në shkallën e parashikuar nga ligji dhe kur është e nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit publik, shëndetit ose moralit, ose për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të tjerëve."
Në një sërë vendimesh të Gjykatës së Strasburgut është bërë e qartë se e drejta e strehimit përfshin edhe rastin e godinave të ndërtuara më mënyrë të paligjshme ose që ju mungon dokumenti i pronësisë. Vetëm gjatë vitit 2016 ka patur dy raste që kanë konfirmuar këtë qëndrim të konsoliduar të Gjykatës së Strasburgut: Ivanova dhe Cherkezov kundër Bulgarisë dhe Bagdonavicius dhe të tjerët kundër Rusisë.Gjykata e Strasburgut u shpreh:
“Aplikanti nuk kishte në dispozicion një procedurë proporcionale për prishjen e shtëpive të tyre të palegalizuara nga autoritetet shtetërore. Gjykata, për këtë arsye, thekson se do të përbënte shkelje të nenit 8 të KEDNJ nëse nuk do të respektohej parimi i proporcianalitetit në këtë rast.”
Aksioni i Bashkisë shkel një sërë ligjesh të tjera, përfshi ligjet e informimit të publikut dhe të transparencës. Bashkia Tiranë, deri më tani nuk ka bërë publik asnjë studim, dokument, skicë, projekt në lidhje me ndërhyrjen.
