“Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme.
Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë, por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Deklaratat e rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.
Genc Cakaj ka qenë i detyruar me ligj për tu pajisur me certifikatë sigurie nga DSIK që në qershor 2018, kur u emërua Zëvendës-Ministër në MEPJ. Zoti Cakaj nuk e ka kryer këtë detyrim dhe ka qëndruar në postin e tij për mëse shtatë muaj pa certifikatat e domosdoshme të sigurisë, në shkelje të ligjit.
DSIK e ka lëshuar certifikatën e sigurisë për Gent Cakajn brenda 24 orësh nga aplikimi i tij, kohë kjo shumë e shkurtër për të bërë një vlerësim të plotë të figurës dhe për të mbledhur informacione nga Kosova, Hungaria dhe Belgjika, vende ku Cakaj ka jetuar për kohë të gjata.”
Një ditë më parë, Presidenti Meta njoftoi dekretimin në krye të katë ministrive, ministrat e rinj Anila Denaj, Besa Shahini, Elva Margariti dhe Belinda Balluku, ndërsa ministria e Jashtme do të vazhdojë të drejtohet nga Ditmir Bushati. Emrat e Cakajt, Denajt, Shahinit, Margaritit dhe Ballukut u prezantuan nga Kryeministri Rama më 28 dhjetor, kur dhe shkarkoi ministrat Bushati, Ahmetaj, Nikolla, Kumbaro dhe Gjiknuri. Shpërndaje te miqtë
