Politika shqiptare në garë kush bën për vete fermerët

exit.al 8 Korrik 2020, 15:39

Qeveria do të shtojë me 400 milionë lekë fondin e skemës kombëtare të subvencioneve për bujqësinë dhe blegtorinë. Njoftimin e dha të mërkurën kryeministri Rama, në një status në Facebook. Fillimisht, fondi i parashikuar për subvencione për vitin 2020 ishte 743,9 milionë lekë, ndërsa me shtesë e re shkon në 1,15 miliardë lekë, rreth 10 milionë euro. Aplikimi për të përfituar fondet bëhet online në portalin e-Albania. Rama tha se 95 për qind e fermërëve që kanë aplikuar online, do të përfitojnë nga ky fond. Ai po ashtu njoftoi se:
  • 400 veterinerë të rinj do të punësohen në Shërbimin Veterinar,
  • Vaksina për bagëtitë kundër sëmundjes së brucelozës do të jepet falas.
Nga ana tjetër, gjatë javëve të fundit, kreu i PD-së Basha ka theksuar disa herë se për qeverinë e tij, bujqësia do të jetë prioriteti kryesor. Basha ka vizituar fermerët në shumë zona të vendit, në Lezhë, Lushnje, Devoll, Pogradec, Berat, Rrogozhinë, Divjakë, Zall-Bastar, Ndroq, etj, për tu njohur nga afër me problemet e tyre. Në 6 korrik, ai i premtoi fermerëve të Devollit se qeveria e tij do të japë 100 milionë euro subvencione çdo vit për bujqësinë, ose sa 10-fishi i fondit që Rama ka vënë në dispozicion për vitin 2020. Po ashtu, Basha premtoi se qeveria e tij do të investojë dhe 50 milionë euro në infrastrukturën e nevojshme, në përmirësimin e sistemit të vaditjes, kullimit, përpunimit dhe tregjeve. Propozimet e PD-së për bujqësinë janë mbështetur dhe nga Lëvizja Socialiste pë Integrim. Në 7 korrik, ish-ministri i Bujqësisë Edmond Panariti deklaroi:

"Opozita e bashkuar dhe LSI është e bindur se pa u mbështetur me të paktën 100 milionë euro, sektori nuk mund të kthehet në konkurues dhe do të rrudhet edhe më tej."

Shpërndaje te miqtë