Ndryshime pozitive ka pasur ndër grupin e nxënësve të dobët, performanca e të cilëve është rritur sidomos në matematikë (nga 2012 në 2018 është ulur me 18 përqind numri i nxënësve poshtë nivelit të dytë, nga 6 nivele). Por numri i nxënësve me rezultate të larta vazhdon të jetë i ulët në krahasim me vendet e OECD (mbi nivelin 6 në shkencë dhe lexim thuajse nuk ka, dhe rreth 0.32 përqind në matematikë).
Ndasitë gjinore vazhdojnë ende, sikurse ato ndërmjet fshatit edhe qytetit. Dallimi ndërmjet shkollave që kanë numër të madh nxënësish me status të ulët socio-ekonomik ndaj të tjerave është tepër i theksuar (përllogaritur duke i ndarë shkollat në katër grupe bazuar mbi statusin social të nxënësve). Dallimet më të mëdha vërehen në lexim, ku distanca është e barasvlershme me një vit shkollor.
Risia në këtë cikël të PISA është se janë matur disa komponentë të tjerë të aftësive të leximit (fokusi për këtë cikël ishte në lexim), prania e cubllikut (bullying) në shkolla që kanë të bëjnë me klimën e përgjithshme në shkollë, dhe publikohen për herë të parë meta-datat e provimit (p.sh. koha e kryerjes së testit, kohëzgjatja e përgjigjes).
Ndalur te aftësitë e leximit, ku PISA mat sipas renditjes të kuptuarit e tekstit, përdorimin e informacionit, vlerësimin dhe reflektimin), vihet re se nxënësit kanë aftësi të dobëta në pjesën e gjetjes dhe vlerësimit të informacionit (p.sh. mesataret për Shqipërinë janë 394.02 për lokalizimin e informacionit dhe 402.9 për të kuptuarit dhe vlerësimin). Edhe pse në shumë pyetje mbi kompetencat e leximit, sidomos aftësitë e mendimit kritik, nxënësit janë përgjigjur pozitivisht mbi veprimtaritë që zhvillohen në shkallë për këtë komponent.
Në krahasim me shqiptarët e tjerë në Kosovë, Maqedoni Mal të Zi, shqiptarët e Shqipërisë kanë dalë më mirë. Në aftësitë e të lexuarit, pjesa më e madhe e nxënësve në Shqipëri (52%), Kosovë (78.5%), e shqiptarët në Zvicër (72.3%), Mali të Zi (66.5%) dhe Maqedoni (63%) janë nën nivelin e dytë. Vetëm në Greqi (48%) shumica e nxënësve shqiptarë del sipër nivelit të dytë në lexim. Nxënësit në nivelin e dytë janë në gjendje të identifikojnë idenë kryesore në një tekst relativisht të gjatë, të gjejnë informacionin e shprehur, ndoshta edhe paraqitur në mënyrë komplekse, dhe të reflektojnë drejtpërsëdrejti mbi qëllimin e tekstit.
PISA 2018, Leximi
Publikuar më parë tek Peizazhe të Fjalës. Botuar me lejen e autorit.
