Pedagogët e Filologjisë kërkojnë anulimin e Ligjit të Arsimit të Lartë

exit.al 24 Dhjetor 2018, 12:30

Pas pedagogëve të Fakultetit të Shkencave Sociale, dhe pedagogët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë kanë kërkuar anulimin e Ligjit të Arsimit të Lartë, si burimin kryesor të të gjithë problemeve që kanë sot studentët e universiteteve. Me anë të një deklarate, rreth 50 pedagogë, duke falenderuar studentët për guximin dhe qëndresën qytetare, kërkojnë anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë dhe mbajtjen e përgjegjësive përkatëse. Pedagogët propozojnë që pas anulimit të ligjit dhe miratimit të kërkesave të studentëve, të krijohet një Këshill Emergjence pranë Ministrisë së Arsimit, me përfaqësimin e të gjitha palëve të interesuara, studentë, pedagogë, shoqëri civile etj., për të mundësuar daljen nga kriza aktuale dhe realizimin e reformimit të Arsimit të Lartë. Po ashtu, pedagogët shprehjen se duhet hapur një debat i gjerë publik për hartimin e një ligji të ri për Arsimin e Lartë, në themel të të cilit të jenë këto parime:

 - Garantimi i të drejtave studentore;

 - Financimi i dijes;

 - Cilësia e mësimdhënies;

 - Demokratizimi i universiteteve;

 - Autonomia e universiteteve;

 - Rritja e transparencës;

 - Cilësia e diplomave dhe integrimi i të diplomuarve në tregun e punës.

Shpërndaje te miqtë