“Nuk kam parë askund një diskriminim kaq të egër nga një qeveri kundër qytetarëve të vet. “Faji” i tyre i vetëm është se nuk votojnë Edi Ramën dhe janë kundër tarifës korruptive, varfëruese dhe izoluese të Rrugës së Kombit.”
Zoti Bardhi tha se u kishte shprehur në çdo takim “vendosmërinë e PD-së për të zhbërë modelin e Edi Ramës që varfëron qytetarët përmes vjedhjes, korrupsionit dhe zhvatjes së pasurive e parave të tyre”.“Me drejtimin e vendit nga PD, qytetarët nuk do të paguajnë asnjë lek për të kaluar në Rrugën e Kombit. Ajo do të çlirohet nga koncesioni korruptiv”.
Koncesioni për mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit iu dha konsorciumit Kastrati-Salillari në vitin 2016, pas katër tenderësh të dështuar. Ndërkohë që vendosja e traut u bë në vitin 2018. PD ka theksuar edhe herë të tjera se do ta anulojë koncesionin në fjalë dhe do të rishohë të gjitha kontratat e tjera të dyshimta për korrupsion. Më herët në një denoncim në Facebook, ish-deputeti i PD-së, Agron Shehaj ka treguar se pas vendosjes së traut kompanitë fituan 10 milionë euro.
