“Mark Babani dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Itali gjatë periudhës 1994 -1999 dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse italiane.
Nga ana tjetër, të dhëna të bëra publike më parë tregojnë se ai ka qenë i arrestuar/ndaluar dhe më pas dënuar edhe në Republikën e Maqedonisë së Veriut gjatë periudhës 2002-2003.”
Ngjashëm si në rastin e Agim Kajmakut që nuk kishte udhëtuar në Greqi për 10 vite dhe më pas rezultoi i dënuar aty – dhe Mark Babani nuk ka udhëtuar në Itali për 10 vite, ku më parë ka jetuar. “Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Mark Babani ka deklaruar se ka jetuar për 5 vite në Itali. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Mark Babani nga periudha 1994 – 2005 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Italisë me identitetin e tij real, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”, sqaron Partia Demokratike. Po ashtu, Mark Babani ka deklaruar në formularin e vetëdeklarimit se ka ndryshuar njëheherë identitetin në Mark Ndoc Babaj, me datëlindje 24.12.1966. Por sipas PD-së, Mark Babani, në mënyrë ilegale ka mbajtur edhe disa identitete të tjera, të padeklaruara në Formularin e Dekriminalizimit, si më poshtë:- Mark Ndoc Babani, i datëlindjes 24.12.1965
- Marq Saimir Babaj, i datëlindjes 11.06.1967
- Ylli Saimir Babaj, i datëlindjes 02.11.1968.
"Gjithë jetën as babai im e as unë nuk i kemi bërë 24 orë burg. Gjithë jetën kam mbajtur emrin Mark Babani."
