PD denoncon 50 rrugët e harruara nga investimet e Bashkisë Tiranë

exit.al 16 Shkurt 2020, 14:17

Partia Demokratike denoncoi sot gjendjen e rrugëve të Tiranës. Përmes një postimi në facebook, zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa tha se në të paktën 50 rrugë të 11 njësive administrative “gjendja është e mjeruar”.

“Tirana sipas Veliajt është vetëm bulevardi dhe sheshet, kullat dhe tenderat. Kryeqyteti sot është makthi i shoferëve dhe qytetarëve! […] Mjafton të ecesh me makinë në rrugën prapa presidencës, të ecesh në rrugën që të çon tek burgu i grave, mjafton mos të largohesh më shumë se disa metra nga qendra dhe shikon Tiranën e vërtetë, e rrugëve të amortizuara.”

Zëdhënësja theksoi se Bashkia Tiranë ka pasur buxhet të mjaftueshëm për të investuar në të gjitha rrugët, por që “për kryebashkiakun Veliaj, Tirana është vetëm bulevardi”.

“[…] në 5 vjet në krye të Bashkisë, me taksa të reja për qytetarët dhe me taksa e tatime të rritura, [Veliaj] ka shpenzuar 586 milion euro dhe parashikon një buxhet 200 milion euro për vitin 2020, por kjo nuk reflektohet në një infrastrukturë dinjitoze për banorët e Tiranës.”

Postimi shoqërohej me video, ku përmblidheshin fotot e të paktën 50 rrugëve, të shkrepura ditët e fundit. https://www.facebook.com/inazhupaPD/videos/259513665030903/