PD akuza qeverisë: Vazhdon të marrë borxh në kurriz të shqiptarëve

exit.al 26 Gusht 2020, 12:46

Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë Rama se po vazhdon të marrë borxh në kurriz të shqiptarëve. Në një reagim në rrjetet sociale, ish-deputetja Jorida Tabaku komentoi kërkesën e qeverisë për të marrë borxh 80 milionë dollar nga Banka Botërore.

“Ka një rrezik që i vërvitet prej 7 vitesh buxhetit të shtetit dhe xhepave të shqiptarëve dhe ai quhet PPP. Kemi ngritur alarmin për këtë rrezik dhe falimentin që rrezikon Shqipëria dhe xhepi i çdo shqiptari duke u përballur me arrogancën e qeverisë.

Ironikisht këto ditë qeveria ka dërguar një kërkesë pranë Bankës Botërore për të marrë një hua prej 80 mln USD me arsyetimin e manaxhimit të riskut të PPP-ve. Kjo lëvizje tërësisht hipokrite nxjerr zbuluar qeverinë në gënjeshtrat e saj të pacipa në lidhje me borxhin publik dhe mbi të gjitha riskun e PPP-ve.”

Tabaku theksoi se Shqipërisë ‘i duhet një qeveri e përgjegjshme, që manaxhon taksat dhe investon në vepra të domosdoshme për shqiptarët dhe ekonominë e tyre. Shqiptarët kanë nevojë për një manaxhim financiar eficent në shërbim të ekonomisë së gjithsecilit.’ Shpërndaje te miqtë