OSBE konferencë për reformën zgjedhore, Basha: Kriza nuk zgjidhet me një tryezë

exit.al 18 Shtator 2019, 15:08

Prezenca e OSBE-së në Tiranë dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore do të zhvillojnë më 25 shtator një konferencë për reformën zgjedhore, me temë “Të mohuar nga sistemi: Ndërtimi i një sistemi gjithëpërfshirës për të mbrojtur demokracinë”. Ndër të tjera, në ftesën e bërë publike në disa media, shkruhet:

“Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të mbështesë autoritetet shqiptare për të përfunduar reformën zgjedhore në kohë dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse, ku të adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të palëve të interesuara kombëtare e ndërkombëtare.”

Disa media raportuan se në këtë tryezë janë ftuar edhe partitë e opozitës që ndodhen jashtë Parlamentit, si PD e LSI. Pyetur nëse do të marrë pjesë në këtë tryezë, Kreu i PD-së Lulzim Basha u shpreh:

“Po t’i shikojmë ftesat se ftesa bëhen javë për javë.

Do t’i shikojmë, do t’i vlerësojmë, zgjidhja e krizës politike është prioriteti ynë.

Natyrisht jemi të angazhuar edhe për reformën zgjedhore. Por askush të mos ketë iluzione, zgjidhja e krizës politike kërkon shumë më shumë se sa një tryezë tjetër.”