Organizatat ndërkombëtare të medias: Mision në Tiranë për të drejtat e gazetarëve

exit.al 19 Qershor 2019, 10:07

Në ditën që Kryeministri Edi Rama kërcënoi se do të padisë në gjyq gazetarin gjerman, Peter Tiede, për publikimin e audio-përgjimeve, të cilat implikojnë vetë Ramën në blerjen e votave në zgjedhjet e Dibrës, një delegacion i organizatave ndërkombëtare të lirisë së mediave po viziton Tiranën.

Qendra Evropiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit, Article 19, EFJ Europe, Komiteti për mbrojtjen e Gazetarëve, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, SEEMO-Media, IFEX, dhe Reporterët pa Kufi do të vizitojnë vendin nga data 18 deri më 21 qershor.

https://twitter.com/IFEX/status/1139193602771472384

Delegacioni do të takohet me gazetarët, botuesit, përfaqësues nga shoqëria civile, Kryeministrin, dhe përfaqësues të tjerë të medias, për të vlerësuar gjendjen e lirisë së medias dhe për të lobuar për lirinë dhe sigurinë e gazetarëve. Delagacioni do të zhvillojë disa intervista, dhe në fund do të zhvillohet një konferencë për shtyp në Hotel Rogner.

Klima aktuale ndaj gazetarëve në Shqipëri është kritikuar shumë kohët e fundit nga ndërkombëtarët. CPJ dhe IPI kanë raportuar mbi ndalimin e paligjshëm të lejes së qendrimit të gazetares britanike Alice Taylor në Shqipëri, dhe për fushatën e shpifjeve të nisur kundrejt saj.

RSF dhe CPJ kanë komentuar gjithashtu mbi dhunën e përdorur kundër gazetarëve dhe punonjësve të medias gjatë protestave anti qeveri të cilat janë zhvilluar muajt e fundit në Triranë. Në raportin e përvitshëm mbi lirinë e medias, RSF ka kritikuar ashpër sulmet e qeverisë ndaj medias.

Në raport shkruhet se kërcënimet, frikësimi dhe ngacmimet ndaj gazetarëve kanë arritur “nivele të paprecedenta” në vitin 2018. Dhe se “gazetarët janë subjekt i sharjeve, kërcënimeve ndaj jetës dhe procedimeve penale të kryera me qëllim frikësimin dhe frenimin e hetimeve të tyre për korrupsion.”

Gazetarët e Exit.al do të takohen me delegacioni për të folur për rritjen e klimës kërcënuese ndaj gazetarëve të pavarur në Shqipëri.

Gjithashtu, dje Konrad-Adenauer dhe Instituti Shqiptarë i Medias do të organizojnë një konferencë mbi lirinë e medias ditën e sotme në Hotel Tirana, ku do të marrin pjesë përfaqësues të medias vendore dhe rajonale.

Shpërndaje te miqtë