Një vizitë në Korenë e Jugut me recetën e pulës së ëmbël pikante

exit.al 22 Maj 2020, 08:20

Sot do të shkojmë në Korenë e Jugut.

Jamystic ju propozon "Pulë të ëmbël pikante".

Kjo është një pjatë tipike e kulturës koreane quhet "Dagkangjeong" por receta ime është e adaptuar me ingredientë që mund të gjenden lehtësisht.

Për 4 persona duhen:

  • 3 fileto pule(1 përdora kofshë gjeldeti)
  • 4 lugë gjelle niseshte.
  • 1 lugë gjelle feta bajamesh të holla
  • Kripë piper
  • Vaj për skuqjen

Për salcën

  • 2 lugë vaj ulliri
  • 1 lugë mjaltë
  • 1 fixhan kafeje me salcë soja
  • 3 thelpinj hudhër
  • 2 speca djegës
  • 2 lugë sheqer të kuq
  • 1 lugë uthull molle
  • 1 lugë kafeje mustardë
  • 3 fije qepë të njoma

E presim pulën në fileto të trasha sa gishti.

I marinojmë me kripë e piper dhe i kalojmë një nga një ne niseshte që të jenë komplet të thata.

Në një tenxhere hedhim shumë vaj për skuqjen e tyre.Do ti skuqim njësoj si patatet. I nxjerrim nga vaji dhe i lëmë 5 min dhe bëjmë një skuqje të dytë që të dalin me krokante.

I heqim dhe i lëmë mënjanë të pushojnë.

Ndërkohë fillojmë salcën. Presim në copa të vogla hudhrën. Specat djegës i japim në mes dhe u heqim farat. I presim në copa të vogla.

Në një tigan hedhim 2 -3 lugë vaj ulliri dhe skuqim lehtë hudhrën dhe specat djegës. Shtojmë aty mjaltin, salcën soja dhe i trazojmë. Para fundit hedhim uthullën dhe mustarden dhe sheqerin dhe i trazojmë sërish.

Salcën e nxehtë e hedhim mbi filetot e skuqura dhe i shtojmë gjethet e qepës të grira dhe fetat e bajameve.

Jamystic ju këshillon: Ju mund të shtoni ose hiqni sipas dëshirës sasinë e specit djegës. Kujdes edhe me salcën e sojës se mund t'ju dalë e kripur. Hidheni lugë lugë dhe provojeni.

Kjo pjatë do si shoqërues oriz të zier basmati ose oriz të zi.