Nis procesi gjyqësor për Salih Mustafën

exit.al 6 Maj 2021, 21:50

Gjykata Speciale e Hagës do të gjykojë Sali Mustafën, ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kryetarja e gjykatës Ekaterina Trendafilova më 5 maj 2021 caktoi gjykatësit e trupës gjykuese si Roland Dekers, Mapi Feld-Folia, Zhilber Biti, dhe Vladimir Mikula(rezervë).

“Ky caktim u bë pas njoftimit prej Gjykatësit të Procedurës Paraprake se dosja e plotë e çështjes Prokurori i Specializuar k. Salih Mustafës(KSC-BC-2020-05) do të jetë gati për t‘iu kaluar Trupit Gjykues më 7 maj 2021”, sqarohet në njoftimin e Gjykatës.

Çështja kundër  Salih Mustafa do të jetë dosja e parë që do të hetohet.

Dhomat e Specializuara të Hagës refuzuan dy herë kërkesën për lirim të ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa.

Mustafa u arrestua në 24 shtator nga EULEX-i me akuzën për ndalim arbitrar, trajtimin mizor, torturë të të paktën 6 personave, dhe vrasjen e njërit prej tyre, në periudhën midis 1 prillit dhe 19 prillit 1999, në Zllash, të Kosovës. Ai u deklarua i pafajshëm për katër akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit Special në Hagë.

Gjykata speciale arsyetoi në nëntor se “pozicioni i Mustafës brenda aparatit të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, që i siguron atij qasje në informacione dhe burime që do lehtësojnë çdo përpjekje për të ikur; pengojnë procedurat përmes ndërhyrjes në viktima dhe dëshmitarë, ose të kryejë krime të mëtejshme”.