
Ligjvënësit evropianë po kërkojnë hetimin e kompanisë Meta pas pezullimit në masë të llogarive në Instagram që postonin rreth protestave kundër qeverisë në Shqipëri.
Vëzhguesit besojnë se bëhet fjalë për një sulm të koordinuar përmes raportimeve masive.
“Ajo që ndodhi në Shqipëri është e barasvlershme me censurën”, tha eurodeputetja Aleksandra Gis në një deklaratë. Ajo është një nga më shumë se 30 anëtarët e Parlamentit Evropian që nënshkruan një letër, përmes së cilës i kërkojnë Komisionit Evropian të hetojë nëse veprimet e Metas ishin në përputhje me Aktin e Shërbimeve Digjitale të BE-së.
“Koncepti i Mark Zukerbergut për ‘lirinë e fjalës’ duket se mbulon vetëm opinionet që përputhen me agjendën politike të administratës Tramp. Pikërisht për këtë arsye kemi rregulla evropiane”, shtoi ajo.
Protestat e “Revolucionit të Flamingove”, fillimisht të nisura kundër projektit për ndërtimin e një resorti luksoz të lidhur me Ivanka Trampin dhe Xhared Kushner, zhvillohen çdo ditë prej më shumë se tre muajsh në kryeqytetin shqiptar.
Protestuesit kërkojnë ndryshimin e ligjit që lejon ndërtimet në zona të mbrojtura, si dhe dorëheqjen e kryeministrit.
Pothuajse të gjitha pezullimet e llogarive nga Meta duket se kanë ardhur si rezultat i ankesave për shkelje të së drejtës së autorit dhe duket se kanë nisur në fund të gushtit.
Një organizatë joqeveritare që po heton pezullimet nga Meta i tha WIRED se disponon prova që “tregojnë qartë një veprimtari të koordinuar” pas këtyre ankesave.
“Ajo që e dalloi menjëherë këtë rast nga rastet që lidhen me moderimin e zakonshëm të përmbajtjes ishte fakti që të gjitha llogaritë e pezulluara lidheshin me të njëjtën lëvizje politike dhe qytetare”, tha Martha Dimitratu, themeluese e Repro Uncensored, një organizatë jofitimprurëse që monitoron censurën digjitale.
Në të paktën një rast, ankesa u gjurmua te një person që pretendoi se ishte paguar për ta paraqitur atë.
Dimitratou i tha WIRED se organizata kishte verifikuar rreth 100 raste të kufizimit të llogarive të lidhura me protestat.
“Vazhdojmë të marrim raportime të tjera dhe, nisur nga numri dhe modelet që po shohim, mund të themi se numri i vërtetë i llogarive mund të jetë disa qindra”, tha ajo.
“Gjithashtu konstatuam se postime të ndryshme në të njëjtën llogari merrnin ankesa për shkelje të së drejtës së autorit, shpesh pesë deri në dhjetë raportime të tilla, brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Më pas pasonin masa gjithnjë e më të rënda dhe, në disa raste, çaktivizimi i plotë i llogarisë”, tha Dimitratou.
“Po t’i marrim faktet së bashku—pagesat e pretenduara për të raportuar kundër llogarive, ankesat e përsëritura për shkelje të së drejtës së autorit të pasuara nga masa ndaj llogarive, përqendrimi i sulmeve te llogaritë që lidhen me të njëjtën lëvizje dhe sulmet e përsëritura ndaj llogarive që i zëvendësuan të mbyllurat—ato tregojnë qartë se kemi një veprimtari të koordinuar”, shtoi ajo.
Repro Uncensored zbuloi se pothuajse të gjitha llogaritë e prekura duket se ishin vënë në shënjestër përmes raportimeve për shkelje të së drejtës së autorit.
Në të paktën 70 raste, organizata konfirmoi heqjen e postimeve dhe videove për protestat, kufizimin e llogarive dhe humbjen e funksioneve të bashkëpunimit mes llogarive.
“Së bashku, llogaritë e vëna në shënjestër arrijnë te miliona njerëz. Kjo do të thotë se, kur ato kufizohen ose fshihen, miliona njerëz mund të humbasin qasjen te lajmet, informacioni politik, dokumentimi i protestave dhe zërat qytetarë tek të cilët ata mbështeten”, tha Dimitratu.
Një protestues i tha WIRED se personi që kishte raportuar llogarinë e tij i kishte thënë se ishte paguar për të kryer sulmin.
Më 20 gusht, Arjan Koçi nisi të merrte një mori emailesh nga Meta.
“Dikush pretendonte se unë kisha marrë videon e tij dhe e kisha publikuar si timen. Por ishte videoja ime, zëri im, imazhi im”, tha Koçi, një shqiptaro-britanik që kishte dokumentuar protestën në llogarinë e tij në Instagram që prej qershorit.
Pamjet ajrore të realizuara me dron nga Koçi tregonin përmasat e mëdha të demonstratave në Tiranë dhe morën miliona shikime në platforma të ndryshme.
“Nëse merr shumë raportime të tilla, Meta ta kufizon llogarinë”, i tha ai WIRED.
Pothuajse në të njëjtën kohë, pohon ai, edhe disa protestues të tjerë po përballeshin me raportime të ngjashme kundër llogarive të tyre.
“Ishte afërsisht ora një e mëngjesit dhe di të paktën 20 llogari që u mbyllën në të njëjtën kohë”, tha ai.
“Kjo taktikë e raportimeve masive për shkelje të së drejtës së autorit, e njohur zakonisht si verpim si brigadë (brigading), është keqpërdorim i sistemeve që Meta ka krijuar për raportimin e përmbajtjeve vërtet problematike, abuzive, të rrezikshme ose të paligjshme në platformat e saj”, tha Kian Vesteinson, zëvendësdrejtor për politikat teknologjike dhe studimet mbi të drejtat digjitale në Freedom House.
“Kemi parë edhe më parë sulme të tilla të organizuara në shkallë të gjerë në rastet luftrave apo konflikteve. Kjo taktikë është përdorur padyshim, për shembull, nga ushtria e Mianmarit kundër njerëzve që kritikonin veprimet e qeverisë”, i tha ai WIRED.
Pesë nga raportimet kundër përmbajtjeve të Koçit erdhën nga i njëjti burim dhe e njëjta adresë emaili. Ai vendosi të kontaktonte ankuesin.
“I thashë: ‘Ke bërë gabim; po pretendon se puna ime është e jotja. Pse po e bën këtë?’”
Për habinë e tij, Koçi mori një përgjigje.
“Ai më kërkoi kontaktin dhe më pas më dërgoi mesazh.”
Personi i tha Koçit se ishte paguar 1,800 dollarë për t’i raportuar këto llogari dhe se do t’i tërhiqte ankesat nëse Koçi e paguante.
“Tha se do të pranonte pagesë në kriptomonedhë.”
Kur Koçi refuzoi, personi i dha një këshillë:
“Nëse dëshiron ta mbash të sigurt llogarinë, çaktivizoje për një javë.”
Përpjekjet e tjera për të kontaktuar sulmuesin e dyshuar u përballën me heshtje.
Ai nuk iu përgjigj as përpjekjeve të WIRED për ta kontaktuar.
“Studimi ynë ka zbuluar se pretendimet për shkelje të së drejtës së autorit mund të çojnë në masa ndëshkuese nga Meta më lehtë se format e tjera të raportimit”, tha Dimitratou.
Ajo shtoi se shpesh disa ankesa drejtohen qëllimisht ndaj së njëjtës llogari, duke e bërë atë objekt të pezullimeve automatike.
“Dobësia themelore është se një aktor keqdashës nuk ka nevojë të hakerojë një llogari apo ta pengojë drejtpërdrejt dikë të publikojë. Ai mund ta përdorë si armë vetë infrastrukturën e Instagramit për zbatimin e rregullave, duke pretenduar në mënyrë të rreme pronësinë mbi materialin dhe duke bërë raportime të përsëritura”, tha Dimitratu.
Vesteinson i tha WIRED se ekziston edhe një dobësi tjetër: “Platformat me seli në Shtetet e Bashkuara zbatojnë ligjin amerikan për të drejtën e autorit. Më konkretisht, kuadrin e përcaktuar nga Akti për të Drejtën e Autorit në Mijëvjeçarin Digjital (DMCA). DMCA-ja ka një procedurë raportimi dhe heqjeje të përmbajtjes që raportohet se ka shkelur të drejtën e autorit, e cila anon nga zbatimi i zellshëm i kërkesave të tilla”, tha ai.
Një zëdhënës i Metas i tha WIRED se llogaritë ishin hequr gabimisht dhe ishin rikthyer, pa komentuar mbi hetimin e tyre të brendshëm.
“Na vjen keq për shqetësimin e shkaktuar. Kemi një proces apelimi që njerëzit mund ta përdorin kur mendojnë se kemi gabuar, në mënyrë që të rikthejmë përmbajtjen nëse përcaktojmë se ajo nuk shkel rregullat.”
Burimi i sulmeve mbetet i paqartë. Koçi dhe të tjerë kanë akuzuar qeverinë shqiptare se i ka orkestruar ato.
“Ata duan ta mbyllin protestën, sepse kjo është një nga protestat më të mëdha në 35 vjet”, tha ai.
Kryeministri shqiptar Edi Rama i ka hedhur poshtë akuzat.
“Ne nuk kemi absolutisht asnjë lidhje me çaktivizimin apo kufizimin e ndonjë llogarie në rrjetet sociale dhe as nuk zotërojmë kapacitetet teknike për të kryer një operacion të këtij lloji. Turp për gjithë këtë tufë dështakësh që përhapin marrëzira të tilla”, shkroi ai në X.
Zyra e kryeministrit nuk iu përgjigj kërkesës së WIRED për koment.
Megjithëse llogaria e Koçit është rikthyer, ai tha se vazhdon të besojë se është objekt i kufizimit të padukshëm të shpërndarjes, të njohur si kufizimi i padukshëm (shadow banning).
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Tomas Regnier, konfirmoi në një konferencë për shtyp se Komisioni tashmë po heton Meta-n për shqetësimet që lidhen me kufizimin e padukshëm të zërave politikë. Ai tha se akuzat më të fundit “nuk përbëjnë aspak surprizë”.
Komisioni konfirmoi se hetimi vazhdon dhe theksoi rolin e Aktit të Shërbimeve Digjitale, i cili u mundëson përdoruesve të kundërshtojnë vendimet e pajustifikuara për moderimin e përmbajtjes.
Shpërndaje te miqtë
