Vjeshtën e kaluar po bisedoja me një arkitekt të njohur në Nju Jork, kur telefoni i tij nuk pushonte së dridhuri. Më në fund i hodhi një sy mesazheve dhe qeshi.
“Ah, grupi i ‘Ushtrisë Shqiptare të Arkitekturës’ në chat është ndezur sërish,” tha. “Duket se Edi ka disa projekte të reja për ne.”
Edi ishte Edi Rama, kryeministër i Shqipërisë që prej vitit 2013, nën drejtimin e të cilit ish-vendi komunist po transformohet me shpejtësi përmes një morie projektesh ndërtimore tërheqëse. Në Tiranë po ngrihen kulla me forma të përdredhura, krahas hapësirave publike fituese çmimesh, resorteve mbresëlënëse në bregdet dhe shumë vizioneve të tjera spektakolare që pritet të realizohen – tashmë të mbledhura të gjitha në një libër të ri voluminoz, Dosjet Shqiptare.
Siç rezulton, transformimi i vendit koordinohet pjesërisht edhe përmes një grupi në WhatsApp (“Albanian ArchArmy” - Ushtria Shqiptare e Arkitektëve), ku bëjnë pjesë disa nga arkitektët më të famshëm në botë. Është një forum ku ndahen arritjet, festohen projektet e reja dhe kryeministri-patron lëvdohet për guximin dhe vizionin e tij. Arkitekti në Nju Jork e përshkruan situatën si në një film me superheronj: Rama jep sinjalin dhe “arkitekt-yjet” nga e gjithë bota mblidhen për të ardhur në shpëtim me projektet e tyre të guximshme. Po të shikosh me kujdes, ndoshta mund të imagjinosh edhe shqiponjën dykrenare shqiptare të projektuar në qiellin e natës.
Grupi në WhatsApp mund të jetë konfidencial, por Dosjet Shqiptare është gjëja më e afërt me të. Është një dokument i jashtëzakonshëm, si për arsyet që kanë synuar autorët, ashtu edhe për ato që ndoshta nuk i kishin parashikuar. Në parathënien e tij, Rama e përshkruan librin si “një dëshmi të çmuar nga pas kuintat e një procesi që po “e ngre Shqipërinë në një mënyrë që askush nuk e kishte parashikuar”.
Është një katalog befasues ëndrrash, ku 60 studio ndërkombëtare – dhe asnjë shqiptare – paraqesin planet e tyre për më shumë se 500 projekte në të gjithë vendin.
Për kritikët e Ramës, megjithatë, libri është një dosje prej 800 faqesh me prova. Ata përmendin mungesën e transparencës në vendimmarrje, shkatërrimin e trashëgimisë kulturore, shpronësimet me forcë, dëmtimin e zonave të mbrojtura dhe rolin e industrisë shqiptare të ndërtimit në pastrimin e parave të krimit të organizuar.
Publikimi është plot me dëshmi të drejtpërdrejta të arkitektëve për eksperiencat e tyre dhe një deputet i opozitës e ka quajtur atë “provën që i vë vulën çështjes” – ndonëse nuk ka asnjë pretendim se arkitektët vetë janë përfshirë në ndonjë veprim të paligjshëm.
Rama ka të drejtë kur thotë se askush nuk e pa këtë gjë duke ardhur: shumica e projekteve të paraqitura në faqet e librit ishin të panjohura për publikun shqiptar, i cili ka reaguar me zemërim.
“Starchitects go home!” – “Arkitektë-yje, ktheuni në shtëpitë tuaja!” – shkruhej në një pankartë gjatë një proteste të zhurmshme në qershor, jashtë një ambienti në Tiranë, ku shumë prej arkitektëve të përfshirë në libër ishin mbledhur për një aktivitet ekskluziv për të festuar punën e tyre dhe për të promovuar botimin.
“Ku është publiku?” shkruhej në një pankartë tjetër.
Biletat për festivalin e arkitekturës, të titulluar Landscapes of Abundance (Peizazhet e Bollëkut), kushtonin deri në 200 euro, në një vend ku paga mesatare mujore është 700 euro.
Festivali u zhvillua në një moment veçanërisht të tensionuar, vetëm pak javë pasi protesta të mëdha në mbarë vendin ishin ndezur nga planet shumëmiliardëshe për zhvillimin e rezervatit natyror të Zvërnecit dhe ishullit të afërt të Sazanit në një resort luksoz, të mbështetur nga familja Tramp.
Të quajtura “revolucioni i flamingove”, për shkak të habitateve të brishta që kritikët thonë se do të shkatërrohen nga projekti, protestat kanë vazhduar tashmë për më shumë se 120 ditë, me thirrje gjithnjë e më të forta për dorëheqjen e Ramës. Arkitektura është gjendur papritur në qendër të konfliktit.
“Është sikur të jetosh në një mbretëri autokratike,” thotë Lorin Kadiu, drejtor i Citizens.al, një platformë investigative që ndjek projektet e ndërtimit në Shqipëri që prej vitit 2018. “Nuk është vetëm mungesa e transparencës, por fakti se të gjithë duhet t’i nënshtrohemi shijeve estetike të një njeriu. I gjithë vendi duhet të pikturohet ashtu siç dëshiron ai.”
Rama, i cili është formuar si piktor, u bë fillimisht i njohur ndërkombëtarisht si kryebashkiak i Tiranës në vitet 2000, kur tërhoqi vëmendjen e mediave me programin e tij për lyerjen me ngjyra të forta të blloqeve gri të periudhës komuniste.
Transformimi i lirë dhe plot gjallëri funksionoi dhe Rama u lavdërua për qasjen e tij artistike jokonvencionale.
Por sot, shumë nga ish-mbështetësit e tij mendojnë se ambiciet e tij arkitekturore kanë shkuar tepër larg.
Një letër e hapur, e shpërndarë gjatë protestave, denonconte “art-washing-un (Pastrim i imazhit përmes artit) e politikës së buldozerëve” dhe pyeste arkitektët e mbledhur aty nëse u pëlqente “liria për të bërë këtu atë që në vendet tuaja do të ishte e ndaluar, e kundërshtuar apo ndryshe e pamundur”.
Nga arkitektët e kontaktuar nga The Guardian, vetëm njëri u përgjigj, duke thënë se në Shqipëri nuk bën asgjë që nuk do t’i lejohej ta bënte diku tjetër.
Ai shtoi se “liria në Shqipëri është sigurisht joshëse dhe, pikërisht për këtë arsye, përgjegjësia personale është edhe më e madhe”.
Siç shkruan me nënkuptim Rama në parathënien e Dosjeve Shqiptare, arkitektët tërhiqen nga puna në Shqipëri për shkak të “lirisë nga ‘jo’-ja, në të gjitha format e saj”.
Faqet e librit janë të mbushura me vizione për bregdet të paprekur, pyje të gjelbër, duna të virgjëra dhe laguna të pastra.
Në Gjipe, një gji që shumë e konsiderojnë si plazhin e fundit ende të virgjër në jug të Shqipërisë, studioja holandeze MVRDV ka propozuar një hotel prej xhami të pasqyruar që do të shtrihej mbi kanion, “si një xhevahir në vijën bregdetare”.
Projekti vjen menjëherë pas kullës së tyre të apartamenteve në Tiranë, e projektuar në formën e kokës së Skënderbeut, heroit kombëtar shqiptar – e cila, rastësisht, ka edhe një ngjashmëri të habitshme me Ramën.
Në zonën e mbrojtur të dunave të Ranës së Hedhun, arkitekti i njohur portugez Álvaro Siza ka hartuar masterplanin e një zhvillimi në shpatin e kodrës, me teleferik dhe një kullë shumëkatëshe në plazh.
Disa faqe më tej, mjeshtri zviceran Valerio Olgiati propozon një grup kullash prej betoni që ngrihen nga rëra, me dritare të vogla me pamje mbrojtëse. Duket sikur po përgatitet për të zmbrapsur një pushtim nga deti.
Transformimi luksoz i bregdetit vazhdon me projektuesin fiorentin të jahteve luksoze Luca Dini, motoja e studios së të cilit është “të mahnisë edhe klientët më kërkues”.
Ai paraqet një udhëtim të ilustruar nëpër 17 projektet e tij, përfshirë kompleksin Life Marina, që shtrihet përgjatë shtatë kilometrave bregdet të virgjër pranë Sarandës, dhe resortin Atara, me një “kurorë” të artë që qëndron pezull mbi shkëmbinj si një tjetër kullë vrojtimi ushtarake.
Gati sa nuk kthehet në parodi kur ilustrimet e tij në stilin e një reviste me figura përfundojnë me një superjaht që duket sikur fluturon mbi horizontin urban, ndërsa vetë projektuesi deklaron nga kuverta: “[ne] krijojmë hapësira që harmonizohen me mjedisin”.
Redaktorja e librit, Anneke Abhelakh, u kërkoi arkitektëve t’i shkruanin vetë tekstet e tyre dhe sinqeriteti i tyre është befasues. Në disa momente, libri lexohet si transkriptimi i një mikrofoni të harruar ndezur.
“Për shkak se nuk ka shumë rregulla dhe klientët e mi kujdesen shumë pak për kontekstin,” shkruan arkitekti me bazë në Berlin Sam Chermayeff, “jemi të detyruar të mendojmë vetë për vlerat tona.”
Ai rrëfen eksperiencën “vërtetë të çmendur” të punës në Shqipëri, përfshirë momentin kur u telefonua papritur nga një prej njerëzve pranë Ramës dhe shumë shpejt iu kërkua të projektonte dy kulla në Tiranë, me një sipërfaqe totale prej 45,000 metrash katrorë – një detyrë jo e vogël për një projektues të njohur kryesisht për kuzhina eksperimentale.
“Sigurisht që pranova,” shton ai, “pa e kuptuar vërtetë se çfarë po ndodhte.”
I kontaktuar për koment, Chermayeff u përgjigj: “Klientëve shqiptarë u bëj të njëjtat pyetje që u bëj klientëve në çdo vend tjetër dhe marr të njëjtat garanci”, duke shtuar se, “ashtu si në Gjermani apo SHBA, në të vërtetë nuk di më shumë se çfarë më thuhet”, dhe se nuk punon në zona të mbrojtura apo pranë tyre.
“Nuk bëj asgjë,” shtoi ai, “që nuk do ta bëja edhe në një vend tjetër.”
Arkitekti austriak Chris Precht përshkruan se si Rama e kontaktoi personalisht në Instagram, duke e pyetur “nëse do të ishte i interesuar të punonte në Shqipëri”.
Sot ai numëron 29 projekte në vend, përfshirë një “Kopsht të Edenit” me vlerë 4 milionë euro, të ndërtuar në oborrin e vetë Kryeministrisë.
“Është një realitet i paimagjinueshëm,” thotë një grup shqiptarësh të fushës së arkitekturës dhe urbanistikës, Arkitektët Shqiptarë, i cili ka krijuar një bazë të dhënash online me të gjitha projektet – të publikuara në shqip, ndryshe nga libri.
“Një grup i ngushtë arkitektësh të huaj kontaktohet drejtpërdrejt nga zyra e kryeministrit dhe merr projekte pa një procedurë konkurruese.”
Arkitektët e huaj e përshkruajnë situatën ndryshe.
“Rama nuk i emëron kurrë vetë arkitektët,” më thotë një anëtar i grupit Ushtria e Arkitektëve. “Por ai i prezanton ata me zhvilluesit. Dhe kuptohet se, nëse ata zgjedhin një prej arkitektëve të tij, [zhvilluesit] do të marrin leje për të ndërtuar çfarë duan.”
Rama i ka mohuar vazhdimisht këto akuza. Në një intervistë të tensionuar me CNN në qershor, ai i cilësoi pretendimet për korrupsion si “fake news” (lajme të rreme).
Prej kohësh ai pretendon se protestat më të gjera janë nxitur nga kundërshtarët e presidentit amerikan, përfshirë Iranin.
“Po të mos ishte Xhared Kushner,” tha ai, “askujt nuk do t’i plaste për flamingot, për Shqipërinë, për asgjë. Është e gjithë urrejtja ndaj Trampit ajo që krijon gjithë këtë vëmendje.”
I kontaktuar nga The Guardian, Kryeministria nuk iu përgjigj në mënyrë të detajuar kërkesave për koment, por i quajti akuzat “thashetheme” dhe “vlerësime të hidhura”.
Gjatë një fjalimi këtë javë për hapjen e konkursit për një kullë të re, Rama këmbënguli se juritë e konkurseve përbëhen “kryesisht nga arkitektë, urbanistë dhe akademikë që janë krejtësisht të lirë”, se “pala shqiptare është në pakicë” dhe se nuk ka “asnjëherë orientim apo ndikim” mbi jurinë.
Ai shtoi se sot Shqipëria “është ‘universiteti’ më i madh i hapur i arkitekturës”, pasi arkitektët e rinj shqiptarë kanë mundësinë “të takojnë, të ndjekin dhe të punojnë konkretisht me mjeshtra”.
Nëntitulli i librit është Freedom and Architecture – “Liria dhe Arkitektura” – dhe në shumë prej projekteve ndihet qartë një frymë lirie pothuajse të pakufizuar.
“Të punosh si arkitekt në Shqipëri është çliruese,” shkruan belgu Xaveer De Geyter, pranë propozimit të tij për tre kulla kolosale në formën e shkronjës M në portin e Sarandës, “duke krijuar një shkallë lirie që ndonjëherë na bën të na dalë djersa e ftohtë”.
Studioja spanjolle Arquitectura-G e vlerëson procesin shqiptar të lejeve si “dukshëm më të shpejtë dhe më pak kufizues” se në vende të tjera, të nxitur nga “një vizion i qartë që vjen nga kryeministri”.
Portugezi Manuel Aires Mateus pajtohet: “Ka momente kur gjërat duhet të bëhen nga lart-poshtë.”
Entuziazmi i dukshëm për mundësinë e ndërtimit në territore të virgjëra është po aq i pranishëm.
Arkitekti i njohur japonez Kengo Kuma përshkruan emocionin që ndjeu gjatë një fluturimi me helikopter mbi Shqipëri.
“M’u duk shumë emocionuese,” shkruan ai, “sepse pjesa më e madhe e natyrës është e paprekur.”
Në Azi, shton ai, “është shumë e vështirë të gjesh një projekt në një ‘tokë kaq të virgjër’”.
Arkitektja indiane me bazë në Berlin, Anupama Kundoo, flet për mundësinë për të krijuar “të çliruar nga bagazhi” i Europës dhe vendeve të tjera “të zhvilluara”.
Kundoo po punon mbi një masterplan për një “vendbanim laboratorik” me 50,000 banorë në parkun kombëtar të mbrojtur Divjakë-Karavasta.
Një projekt i tillë është bërë i mundur vetëm falë një ligji të diskutueshëm të vitit 2024, i cili lejon ndërtimin e resorteve me pesë yje në zona të mbrojtura, ligj nga i cili përfiton edhe projekti i mbështetur nga familja Tramp në Zvërnec.
Nuk ka asnjë pretendim se ndonjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull po shkel ligjin.
“Zhvilluesit janë me nxitim,” thotë Kadiu. “Ka një sprint për të ndërtuar sa më shumë të jetë e mundur përpara se këto ligje të shfuqizohen.”
Presioni po rritet.
Shqipëria ka hyrë në fazën përmbyllëse të negociatave për anëtarësimin në BE, por këto rregullime të dobëta ligjore vazhdojnë të përbëjnë pengesë.
Si ligji i vitit 2024, ashtu edhe legjislacioni i vitit 2015 që u jep trajtim preferencial “investitorëve strategjikë”, u kritikuan në një raport të BE-së vitin e kaluar si të papajtueshme me standardet e saj.
Një rezolutë e Parlamentit Europian në qershor të këtij viti “shprehu shqetësim serioz” dhe kërkoi një “moratorium të menjëhershëm për procedurat e reja të lejeve, punimet e ndërtimit dhe ndërhyrjet zhvillimore” brenda zonave të mbrojtura.
Rama vazhdon t’i mbrojë të dy ligjet si politika pragmatike dhe modernizuese, që sipas tij arrijnë të balancojnë ruajtjen e mjedisit me zhvillimin ekonomik me vlerë të lartë.
Përtej shqetësimeve për mjedisin dhe proceseve jotransparente të dhënies së lejeve dhe prokurimit, mbetet edhe një pyetje tjetër e fortë: si mundet një nga vendet më të varfra të Europës t’i përballojë këto projekte ekstravagante?
Çmimet e pronave janë rritur në mënyrë astronomike, por pa një rritje të krahasueshme të pagave apo të kredive hipotekore të dhëna nga bankat, çka i shtyn kritikët të dyshojnë se në lojë mund të ketë para me origjinë të dyshimtë.
Global Initiative Against Transnational Organized Crime (Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional) i identifikon sektorët e pasurive të paluajtshme dhe turizmit në Shqipëri si fusha të rëndësishme për pastrimin e parave, duke vërejtur se sektori i ndërtimit është “i infektuar rëndë nga para të paligjshme”.
Raporti i tij i vitit 2020 vlerësonte se 1.6 miliardë euro “para të pista” ishin pastruar përmes tregut shqiptar të pasurive të paluajtshme gjatë tre viteve të mëparshme.
Siç raportova në vitin 2022, përgjime të rrjedhura në media zbuluan figura të mafies italiane duke diskutuar se si bumi i kullave në Tiranë ofronte një mundësi të shkëlqyer për pastrimin e parave të tyre, me kosto ndërtimi prej rreth 500 eurosh për metër katror, përballë çmimeve të shitjes që arrinin deri në 4,000 euro për metër katror.
Vetë Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, po bën përparim.
Në qershor, ajo sekuestroi pasuri me vlerë 150 milionë euro, përfshirë apartamente, vila dhe ambiente tregtare, të lidhura me një rrjet të dyshuar të trafikimit të kokainës.
Në të njëjtin muaj, Pëllumb Gjoka, i shpallur dikur “investitor strategjik” nga qeveria shqiptare dhe i autorizuar për të ndërtuar një resort bregdetar me vlerë 52 milionë euro, u dënua me burg për porositjen e vrasjeve të lidhura me krimin e organizuar.
Kërkimet e Citizens.al tregojnë se disa projekte të përfshira në Dosjet Shqiptare lidhen me hetime në vazhdim të SPAK-ut – asnjë prej arkitektëve të përmendur në këtë artikull nuk është i implikuar – ku pretendohet se kapital me origjinë kriminale është kanalizuar përmes kompanive guaskë, kontratave të ndërtimit dhe transaksioneve me prona.
Më shumë se 40% e projekteve në libër nuk tregojnë as se kush është klienti, duke bërë që shumë njerëz të pyesin: përse gjithë kjo mungesë transparence?
Një ish-anëtar i Ushtrisë së Arkitektëve shpreh keqardhje për mënyrën se si kanë përfunduar gjërat.
“Ashtu si të tjerët, u përfshiva me bindjen e sinqertë se kjo mund të sillte një ndryshim pozitiv për vendin,” më thotë ai.
“Rama e dinte se Shqipëria do të zhvillohej shumë shpejt dhe nuk donte që gjithçka të bëhej rrëmujë. Është më mirë të përfshihen disa arkitektë të mirë për t’u siguruar që rezultati të jetë të paktën i pranueshëm, sesa njerëzit të ndërtojnë apartamente pa asnjë identitet përgjatë bregdetit, pa kurrfarë kontrolli.”
Arkitekti thotë se u tërhoq pasi mori pjesë në jurinë e një konkursi që “nuk dukej demokratik” dhe për shkak se çështjet e pronësisë së tokës “gjithmonë dukeshin shumë të paqarta”.
Ai shton:
“Rama vazhdon ta besojë shumë fort se po bën gjënë e duhur për vendin. Është një shembull klasik i asaj që ndodh kur mendon se je një udhëheqës dashamirës, por qëndron në pushtet për shumë gjatë.”
Kjo ndjesi pasqyrohet edhe në një prej kontributeve më domethënëse të librit.
Reinier de Graaf, nga studioja holandeze OMA, i shkruan një letër të hapur Ramës – e menduar si parodi, edhe pse humori tashmë duket disi i paqartë.
“Duke pasur parasysh statusin e qëndrueshëm të Shqipërisë si një patron i ndritur i arkitekturës,” shkruan ai, “profesioni ynë do të përfitonte jashtëzakonisht shumë nëse vendi nuk do të zhvillonte më kurrë zgjedhje dhe nëse ju … thjesht do të vazhdonit si president përjetë – ndoshta edhe si mbret.”
Dhe shton:
“Në një botë autokracish, a mund të kemi të paktën një autokrat dashamirës me shije?”
Artikulli origjinal mund të lexohet i plotë këtu.
