Në Elbasan, ndotja industriale mbulon shtëpitë, kopshtet dhe shkollat me pluhur të zi, ndërsa banorët tregojnë për vështirësi në frymëmarrje dhe mushkëri të dëmtuara.
Një reportazh i agjencisë franceze të lajmeve AFP përshkruan se si mbetjet toksike të trashëguara nga kombinati metalurgjik, tymrat e fabrikave ekzistuese dhe zjarret në vendgrumbullimet e mbetjeve vazhdojnë të dëmtojnë jetën e qytetit.
Reportazhi e lidh këtë gjendje me dështimin e institucioneve për të kontrolluar ndotjen dhe me skandalet e korrupsionit në menaxhimin e mbetjeve.
Sipas AFP-së, afro 150 milionë euro fonde publike u shpenzuan për projektet e inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, por impiantet funksionuan fare pak, nuk u vunë në punë ose nuk u ndërtuan.
Ndërkohë, hetimet për dërgimin jashtë vendit të 2 100 tonëve mbetje toksike të prodhuara nga industria në Elbasan kanë përfshirë punonjës të doganave dhe të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.
“Edhe dielli këtu është i zi si mushkëritë e mia”, i thotë AFP-së Lirie Curri, një mësuese në pension nga Bradasheshi.
Dëshmia e saj është një nga zërat e banorëve që përshkruajnë pasojat e ndotjes, në një vend ku, sipas reportazhit, pajisjet për monitorimin e ajrit kanë mbetur jashtë funksionit për vite me radhë.
AFP trajton edhe ndikimin që këto dështime mund të kenë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
Lufta kundër korrupsionit, pavarësia e SPAK-ut dhe përmbushja e standardeve për mbetjet, ujin dhe ajrin mbeten prova të rëndësishme për procesin e anëtarësimit. Më poshtë, reportazhi i plotë në shqip.
Më poshtë teksti i plotë i reportazhit të AFP-së shkruar nga Briseida Mema dhe Umberto Bacchi.
***

“Një diell i zi si mushkëritë e mia” Si e kryqëzoi korrupsioni një qytet të ndotur shqiptar
Për disa ditë këtë verë, qyteti i Elbasanit u mbyt me një re të dendur tymi që të digjte sytë që vinte nga ana e uzinave të tij famëkeqe të çelikut.
Inspektorët e mjedisit, të cilët nxituan në vendngjarje pas dy zjarreve, zbuluan 318 tonë pluhur toksik industrial të magazinuar prej muajsh në një fabrikë kromi, AlbChrome, pa pasur asnjë kontratë për dërgimin për trajtim ose asgjësim në mënyrë të sigurt.
Fabrika, në pronësi të grupit turk Yildirim, u mbyll përkohësisht.
Ky është vetëm rasti i fundit në serinë e fatkeqësive që kanë goditur një nga qytetet industriale më të rrënuara të Europës, i mbuluar vazhdimisht nga tymi vdekjeprurës i zjarreve të ngjashme.
Banorët e Elbasanit kanë qenë viktima të krimeve mjedisore që kur Kina e kryetarit Mao ndihmoi diktatorin e atëhershëm komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha, të ndërtonte në vitet 1970-të, në luginën pjellore pranë qytetit, kompleksin gjigant “Çeliku i Partisë” me rreth 500 fabrika.
Qyteti i tretë më i madh i vendit është bërë gjithashtu simbol i korrupsionit që ka shoqëruar tranzicionin e dhimbshëm të Shqipërisë drejt kapitalizmit, ndërsa shqiptarët i paguajnë me shëndetin e tyre skandalet e përsëritura.
Një projekt inceneratorësh, që duhej të ndihmonte në zbutjen e katastrofës ekologjike, rezultoi një mashtrim i përmasave të mëdha, prej miliona dollarësh.
Në projekt përfshihej edhe një incenerator “fantazmë” për kryeqytetin, Tiranën, i cili nuk u ndërtua kurrë.
Tentakulat e mashtrimit arritën deri në zemër të qeverisë shqiptare, me një mori zyrtarësh të lartë, përfshirë një ministër mjedisi, të burgosur për korrupsion. Ndërkohë ish-zëvendëskryeministri i vendit është në arrati.
Inceneratori i Elbasanit funksionoi vetëm për pak muaj, ndërsa mbetjet u grumbulluan por nuk u trajtuan asnjëherë.
Përtej kësaj, prokurorët antikorrupsion akuzojnë gjithashtu zyrtarë të Agjencisë së Mjedisit për përfshirje në trafikimin e mbetjeve toksike të prodhuara në uzinat e Elbasanit.
Në lojë është ëndrra për në BE
Një zjarr në një vendgrumbullim mbetjesh pranë banesave në periferi të Elbasanit, i cili zgjati disa ditë në korrik 2025, shkaktoi përqendrime furanesh toksike, dioksinash, metani dhe përbërjesh organike të avullueshme në nivele “më shumë se shtatë herë” mbi kufijtë e sigurisë, tha profesori Besnik Baraj i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Për pak vdiqa nga një krizë e rëndë astme”, tha banorja Fatmira Serjani, teksa kujtonte “netët e tmerrshme dhe mëngjeset dërrmuese”, me zërin që i ndërpritej ndërsa përdorte një aparat që ndihmon frymëmarrjen.
Mashtrimet e përsëritura dhe dështimet në mbrojtjen e mjedisit mund të ngadalësojnë edhe shpresat e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian në vitin 2030, paralajmërojnë analistët, ndërsa Mali i Zi fqinj shihet se po përparon më shpejt.
Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, dha një sinjal alarmi këtë vit kur tha se “mund të kesh legjislacionin më të mirë për luftën kundër korrupsionit, por nëse ai nuk pranohet në vend, atëherë ke një problem tjetër”.
Kancera dhe gazra helmues
Në një rast të këtij lloji në Shqipëri, Serjani, e cila vuan nga astma, ka paditur Bashkinë e Elbasanit dhe administratorin e venddepozitimit të mbetjeve Eco-Elb, ku shpërtheu zjarri i vitit 2025, për ndotjen e ajrit që zjarri shkaktoi.
Avokati i saj tha se zjarri ishte “ndoshta i qëllimshëm” — një akuzë që bëhet shpesh për zjarret brenda dhe përreth kompleksit të vjetër metalurgjik.
Administratori i vendgrumbullimit të mbetjeve u arrestua të hënën, në kuadër të një hetimi për korrupsion.
Inxhinieri i mjedisit dhe ish-këshilltari bashkiak i Elbasanit, Ahmet Mehmeti, tha se disa fabrika në këtë kompleks i fikin filtrat e oxhaqeve për të kursyer para, duke shtuar kapica të reja pluhuri toksik përveç dy milionë tonëve të materialeve të rrezikshme të trashëguara nga periudha komuniste.
Në mars 2025, një ekip i AFP-së pa një oxhak që nxirrte tym të zi në këtë kompleks industrial, pjesë të të cilit ngjajnë me një peizazh të zi hënor. Por, ndërsa kameramani i ekipit po përgatiste një dron për të vëzhguar nga afër, tymi u ndal papritur.
“Mbetjet e magazinuara që nga periudha komuniste ose të prodhuara nga fabrikat aktuale përmbajnë krom, nikel dhe zink”, tha Mehmeti. “Shkarkimet depërtojnë në ujë, derdhen në lumin pranë, që përdoret për ujitjen e tokave bujqësore, dhe përfundojnë në frutat e perimet në pjatat tona.”
“Situata është serioze në fshatra si Balldreu dhe Bradasheshi, pranë fabrikave që lëshojnë në ajër sasi të mëdha gazrash të dëmshme”, tha Anila Jançe, profesore e biokimisë në Universitetin e Mjekësisë në Tiranë.
“Treguesit e cilësisë së ajrit tregojnë përqendrime të larta grimcash të imëta (PM2.5). Ekspozimi kronik ndaj PM2.5 lidhet ngushtë me shpeshtësi më të lartë të sëmundjeve kronike të frymëmarrjes, veçanërisht bronkitit kronik dhe sëmundjeve të mushkërive”, shtoi ajo.
Në Bradashesh, mësuesja në pension Lirie Curri, 61 vjeçe, i tregoi AFP-së radiografitë e mushkërive të saj të dëmtuara.
“Edhe dielli këtu është i zi si mushkëritë e mia”, tha ajo.
“Është e padurueshme. Nuk mund të hapim dritaret; edhe portokallet në kopsht dhe rrobat e varura për t’u tharë mbulohen nga pluhuri i zi.”
Banorët këmbëngulin se ndotja nga oxhaqet përkeqësohet natën, kur tymi nuk mund të shihet aq qartë.
Mbesa tetëvjeçare e Currit, Ermi, tha se në klasën e saj “të gjithë fëmijët kolliten”.
Dhe kur ftohen e shfryjnë hundët në një shami letre, ajo “është e zezë”, shtoi nëna e saj, Mirela Kabashi, punonjëse policie në Elbasan.
Nuk ka monitrim të ajrit
Sëmundjet gjenetike dhe kanceri janë shtuar në këtë zonë prej vitesh, i thanë AFP-së ekspertë të mjedisit.
“Emetimet e plumbit kanë shkaktuar dëmtime të trurit, veçanërisht te fëmijët, por edhe probleme gjenetike te bagëtitë dhe shpendët”, tha Beqir Kila, ekspert i njohur i mjedisit.
Autoritetet shqiptare nuk iu përgjigjën pyetjeve të AFP-së për ndikimin e ndotjes në shëndetin e banorëve të Elbasanit.
Megjithatë, Instituti i Efekteve Shëndetësore, nga SHBA-ja, vlerësoi në një raport të vitit 2023 se shkalla e vdekshmërisë nga ndotja e ajrit në Shqipëri është tri herë më e lartë se mesatarja europiane.
Nuk ka statistika zyrtare, pasi vendi prej kohësh nuk ka pasur asnjë stacion funksional për monitorimin e ajrit, megjithëse BE-ja pagoi 400 mijë euro në vitin 2011 për pajisjen e katër stacioneve.
Pajisjet e dorëzuara në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit në vitin 2013 kanë mbetur jashtë përdorimit për 12 vjet, sipas Delegacionit të BE-së në Tiranë për shkak të mungesës së mirëmbajtjes dhe fondeve për funksionimin e tyre.
Bashkia e Elbasanit financoi stacionet e veta në vitin 2017, por ato “u prishën shpejt, ose i prishën qëllimisht”, tha Mehmeti.
“Më shumë se mungesë parash, është problem i përvetësimit të fondeve publike, pa përmendur mungesën e transparencës që synon të fshehë të vërtetën për ndotjen”, tha biologu shqiptar Olsi Nika, fitues i Çmimit Goldman për Mjedisin.
Skandali i Inceineratorëve
Skandali i “inceneratorëve fantazmë” është shembulli më flagrant, thonë kritikët.
Afro 150 milionë euro fonde publike u shpenzuan për projektin e reformimit të sistemit të menaxhimit të mbetjeve të vendit, përmes inceneratorëve në Elbasan, në kryeqytetin Tiranë dhe në Fier, në jug.
Inceneratori i Elbasanit, që kushtoi 26 milionë euro, tashmë është një ngrehinë e ndryshkur pasi thuajse nuk funksionoi fare, ndërsa impianti i Fierit, me vlerë 23 milionë euro, nuk funksionoi asnjëherë.
Inceneratori i Tiranës, me vlerë 100 milionë euro, nuk u ndërtua kurrë. Dokumentet u nënshkruan, por paratë u bënë tym përmes korrupsionit, përvetësimit dhe pastrimit të parave.
Ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka u burgos për marrjen e 3,7 milionë eurove ryshfet në këtë çështje. Në të janë përfshirë edhe zyrtarë të tjerë të lartë, ndërsa ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj u largua drejt Zvicrës, duke mohuar çdo shkelje.
Prokuroria kundër korrupsionit, SPAK, nisi hetime të reja ndaj 12 personave të tjerë në korrik, duke i akuzuar për “pastrim parash në kuadër të një grupi kriminal”.
Në krye të tij, thonë prokurorët, janë dy biznesmenë që ndodhen në arrati që prej vitit 2024 dhe kërkohen nga Interpoli: Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
Sipas dosjes së çështjes, të parë nga AFP-ja, konsorciumi i tyre përdori kompani guaskë dhe shtetas shqiptarë e të huaj, veçanërisht holandezë dhe italianë, për të fshehur identitetin e pronarëve të vërtetë të koncesioneve.
Ata përfituan rreth 120 milionë euro, sipas kursit aktual të këmbimit, për inceneratorin e Tiranës.
Dokumentet e shqyrtuara nga AFP-ja tregojnë se Mërtiri dhe Zoto ishin pronarët “de facto” të një kompanie të regjistruar në Holandë, Integrated Energy BV SPV.
Një filial shqiptar me të njëjtin emër u krijua më 30 gusht 2017, pak ditë përpara se marrëveshja për inceneratorin e Tiranës të nënshkruhej me ish-ministrin e Mjedisit.
Trafikimi i Mbetjeve
Një skandal i dytë i madh shpërtheu në vitin 2024, kur autoritetet tajlandeze kthyen mbrapsht një ngarkesë mbetjesh toksike nga Elbasani, të deklaruara si oksid hekuri i lejueshëm, pas një sinjalizimi nga organizata mjedisore Basel Action Network.
Ngarkesa me më shumë se 100 kontejnerë, që përmbanin 2 100 tonë mbetje toksike, u kthye në Shqipëri. Kontejnerët tani janë vendosur njëri mbi tjetrin pranë banesave në Vrinë, në jugperëndim të vendit.
Prokurorët kanë lëshuar 33 urdhërarreste ndaj punonjësve të doganave dhe të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për përfshirjen e dyshuar në këtë skemë. Në kërkim janë edhe tre shtetas turq dhe një gjerman.
Analizat e mostrave të ngarkesës, të kryera nga një laborator italian, zbuluan praninë e pluhurit “të rrezikshëm dhe toksik” prodhuar në furrat e një uzine çeliku në Elbasan, e operuar nga kompania turke Kurum International dhe dy firma shqiptare, thanë hetuesit.
"Nuk është një krim i izoluar"
Prokurorët theksuan se “ky nuk është një krim i izoluar, por një seri veprimesh të paligjshme me pasoja të rënda për mjedisin, shëndetin dhe rregullat doganore”, që përfshijnë trafikimin e mallrave të ndaluara, shpërdorimin e detyrës dhe pastrimin e parave.
Komisioni Europian i tha AFP-së se “lufta kundër korrupsionit është një element kyç që një vend të mund të anëtarësohet në BE”, pasi kishte vlerësuar “përparimin e prekshëm” të Shqipërisë në një raport vitin e kaluar.
Ai shtoi se “legjislacioni shqiptar do të duhet të përafrohet me atë të BE-së” përpara se “të mund të mbyllen” çështjet thelbësore mjedisore të Kapitullit 27 të negociatave të anëtarësimit, që lidhen me menaxhimin e mbetjeve dhe cilësinë e ujit e të ajrit.
Muajin e kaluar, kryeministri Edi Rama tha se, për të përmbushur standardet europiane, po krijohej një operator kombëtar për trajtimin e mbetjeve.
Por analistja Tefta Kelmendi, e institutit kërkimor Jacques Delors, tha se çështjet e fundit me profil të lartë përbënin një “provë të madhe” për perspektivën e anëtarësimit të Shqipërisë, pasi Rama shkarkoi zëvendëskryeministren Belinda Balluku në mars, pasi ndaj saj u ngrit një akuzë në një tjetër hetim për korrupsion.
“Shumë do të varet nga sa do t’ia dalë SPAK-u të mbetet i pavarur”, tha ajo, duke shtuar se institucioni kundër korrupsionit po përballej me trysni gjithnjë e më të madhe.
Shpërndaje te miqtë
