Rendi i ri botëror? Secili për vete

Alec Russell 25 Gusht 2026, 12:17

Tani që Amerika ka hequr dorë nga roli i saj si mbështetëse e demokracisë, ka ardhur pranvera e tiranëve.

Rendi i ri botëror? Secili për vete
Ann Kiernan

Kofi Annan kishte një përgjigje për ata që argumentonin se një autokrat mund të ishte zgjidhja e duhur për një shtet të dobët apo të trazuar. “Po të flet Xhoni Uoker...” – thoshte ai, duke kujtuar se kur ishte i vogël në Ganë me shokët e tij përdornin këtë përgjigje sa herë që dikush pretendonte ndonjë gjë absurde. Autokracitë, besonte ai, janë “të ndërtuara mbi rërë”; e vetmja mënyrë për të zhvilluar një komb është përmes mirëqeverisjes – vetëm se nuk duhet hequr dorë nga përpjekja për ta arritur këtë gjë. 

E dëgjova ish-sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, tashmë të ndjerë, ta përdorte këtë përgjigje me “Xhoni Uoker” gjatë një vizite në Tanzani 15 vjet më parë. Ishte një periudhë kur optimizmi i epokës së pas Luftës së Ftohtë kishte filluar të shuhej. E megjithatë, një erë shprese demokratike po frynte në pjesën më të madhe të botës në zhvillim.

Annan do të dëshpërohej po ta shihte botën sot. Prej më shumë se një dekade, autoritarizmi është në rritje si në fuqitë e mëdha, si Kina dhe Rusia, ashtu edhe në “fuqitë e mesme”, nga Turqia dhe vendet e Gjirit te India; së fundmi, me ritme mjaft të shpejta dhe në Indonezi.

Tani që Amerika ka vendosur ta mbyllë kapitullin e promovimit të demokracisë, për tiranët ka nisur një pranverë shumë e gjatë. Autokracitë brutale, nga Zimbabveja e deri te Mianmar, po bëjnë thuajse çfarë të duan, pa pasur frikë as nga një qortim verbal.

Në Tanzani, autoritetet kanë pezulluar një gazetë vetëm sepse shkruajti për tensione të mundshme brenda qeverisë. Një dekadë më parë, një veprim i tillë do të kishte sjellë presion nga donatorët perëndimorë. Të kesh mundësinë të shtypësh median pa u frikësuar nga sanksione duhet të jetë shumë çliruese për politikanët jotolerantë.

Disa mund të thonë se këtu nuk ka asgjë të re: që kur ka qenë Amerika një shembull i sjelljes së virtytshme? Në fund të fundit, ajo ka qenë gjithmonë e udhëhequr nga interesi i vet dhe shpesh hipokrite, ashtu si të gjitha fuqitë dominuese ndër vite.

Në janar, kryeministri i Kanadasë, Mark Carney e kritikoi idenë e “rendit global të bazuar në rregulla”, model i udhëhequr nga Amerika, duke e quajtur atë një “trillim të këndshëm”. Kjo kritikë gjeti veçanërisht mbështetje në Jugun Global. Shumë prej këtyre vendeve kanë treguar prej kohësh pakënaqësi kundrejt standardeve të dyfishta të Perëndimit.

Për shembull: diktatori i Zairesë gjatë Luftës së Ftohtë, Mobutu Sese Seko. Ai ishte mbreti i kleptokracisë, e megjithatë ai dhe despotë të tjerë "u përkëdhelën" nga disa presidentë amerikanë, pasi konsideroheshin si vegla të dobishme kundër Bashkimit Sovjetik.

Megjithatë, sado jopopullore që mund të jetë sot mbrojtja e bilancit të Amerikës në skenën botërore, kjo nuk është e gjithë historia.

Gjatë dekadave pas vitit 1945, pati shumë vende ku partitë opozitare dhe mediat e goditura arritën të mbijetonin falë mbështetjes së Departamentit Amerikan të Shtetit dhe agjencive të tij. Në fillim të viteve 1990, kur korrespondentët e Voice of America, medias së financuar nga qeveria amerikane, udhëtonin drejt Angolës, një shtet njëpartiak që po hapej ndaj botës, ata priteshin si legjenda, aq i madh kishte qenë ndikimi i transmetimeve të tyre.

Por ajo kohë ka kaluar.

Voice of America u mbyll nga administrata e Trampit vitin e kaluar. Promovimi i demokracisë nuk është më pjesë e agjendës amerikane.

Muajin e kaluar aleatët e presidentit të Zimbabvesë, Emmerson Mnangagwa, miratuan me forcë një ligj të ri për t’i zgjatur mandatin e tij, duke shkelur kushtetutën. Nga Amerika nuk protestoi askush.

Edhe vende të tjera perëndimore duket se e kanë humbur vendosmërinë. Britania dhe Franca po përqendrohen te lehtësimi i borxhit të Zimbabvesë, ndërsa nuk thonë asgjë për këtë kapje të pushtetit.

Kursimet financiare që vijnë nga kjo tërheqje dhe nga mungesa e madhe e investimeve në “fuqinë e butë” janë pothuajse të papërfillshme. Por ndikimi mbi partitë opozitare është dramatik. Dhe kjo qasje është gjithashtu dritëshkurtër. Pekini po mbush këtë boshllëk të krijuar.

Në Zimbabve, mbështetësit e Mnangagwas po kërkojnë që ai të qëndrojë në pushtet si një president de facto i përjetshëm. Ai sapo i ka emëruar 10 prej tyre senatorë. Thuhet se është bazuar edhe nga sugjerimi i mëparshëm, i bërë pa shumë kujdes nga Trump, se ai mund të kërkonte një mandat të tretë. Dhe kështu një tirani fillon të hedhë rrënjë.

Disa flasin me dëshpërim dhe në mënyrë të pasaktë për një rikthim te “ligji i xhunglës”. Kur Rudyard Kipling, kronikani i imperializmit britanik, e përdori këtë shprehje si titull të një poezie, ajo ishte në fakt një kompliment. Ai po lavdëronte mënyrën se si ujqërit bashkëpunonin me njëri-tjetrin; ligji i tij i xhunglës kishte të bënte me komunitetin, jo me kaosin.

“Sepse forca e tufës është ujku”, shkroi ai. “Dhe forca e ujkut është tufa.”

Carney iu referua në mënyrë të tërthortë pikërisht këtij shpirti të “tufës” si burim frymëzimi, kur foli për nevojën që fuqitë e mesme duhet të punojnë së bashku për ta mbajtur gjallë multilateralizmin. Ndonjëherë kjo do të ndodhë. Ideja e plurilateralizmit – koalicione të krijuara rast pas rasti për çështje specifike – po fiton gjithnjë e më shumë mbështetës, ashtu si edhe fleksilateralizmi, çfarëdo që nënkuptohet me këtë term.

Në përgjithësi, fryma globale e kohës është “secili për vete” – ose ajo që zakonisht kuptohet si ligji i xhunglës. Është një epokë e pamëshirshme, ku secili mund t’i ndjekë objektivat e veta pa skrupuj. Zyrtarët e OKB-së flasin të dëshpëruar se ka të paktën 10 shtete që po ushqejnë luftën në Sudan, të gjitha të bindura se nuk do të përballen me pasoja.

Mbështetësit e shkëputjes së Amerikës flasin për një rikthim, sipas tyre prej kohësh të vonuar, te realizmi. Bota ka ndryshuar, thonë ata. Kjo është e vërtetë, por fundi i interesit amerikan për përhapjen e idealeve iluministe ka një çmim të lartë.

Annan do t’i përgjigjej shumë mirë kujtdo që përpiqej të mbronte shpërfilljen cinike që mbizotëron sot ndaj vlerave të demokracisë. Me qetësi, por me vendosmëri, ai do ta vinte në lojë këtë ide duke thënë: “Po të flet Xhoni Uoker”.

Dhe, sigurisht, do të kishte të drejtë.


(Ky shkrim u botua fillimisht në ft.com)

Shpërndaje te miqtë