
Në verën e vitit 2021, Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, u ftua në një superjaht të ankoruar pranë qytetit të lashtë të Durrësit, në bregdetin e Adriatikut. Jahti Planet Nine është në pronësi të financierit Nat Rothschild, një pinjoll i familjes së famshme evropiane të bankierëve. Me të në jaht udhëtonin [Xhared] Kushner dhe Ivanka Trump.
Rama ishte në vitin e tetë në krye të Shqipërisë dhe Kushner sillej ndaj tij me respekt të veçantë. “Kur i sheh në televizor, Xhared të duket si një vrasës gjakftohtë, ndërsa Ivanka si një njeri shumë i ftohtë, i përqendruar vetëm te vetja”, tha Rama. Kur i takon personalisht, “nuk do ta besonit sa të përulur janë”.
Jahti e çoi grupin në Sazan, një ishull pothuajse të pabanuar pranë bregdetit shqiptar. “Ndaluam për të notuar — në fakt, kështu e zbuluam”, u shpreh Ivanka në podkastin Founders. “Ecëm zbathur deri në majë dhe u magjepsëm plotësisht.”
Sazani është një vend i ashpër — i mbuluar me shkëmbinj e pemë të ndërthurura, i populluar nga një koloni e madhe minjsh dhe i mbushur me bunkerë që diktatori marksist Enver Hoxha ndërtoi për t’u mbrojtur nga një pushtim imagjinar.
Por ai ofron pamje të pamata të një deti të kaltër dhe çifti Kushner pa aty një mundësi. Ata ishin nxitur tashmë të investonin në Shqipëri nga Richard Grenell, i cili kishte shërbyer më parë si i dërguari i posaçëm i Trumpit në rajon dhe më pas kishte punuar me kompaninë Affinity [të Xhared Kushner].
Disa muaj më vonë, Kushner i tha Ramës se donte të ndërtonte resorte në Sazan dhe në gadishullin e Zvërnecit, i cili mbron një lagunë të gjerë.
Kushner përfytyronte një qytezë të vogël për super të pasurit, me fusha golfi, një port jahtesh dhe dhjetë mijë dhoma hoteli e apartamente në bashkëpronësi.
Projektet do të kërkonin një investim prej rreth katër miliardë dollarësh; për fazën e parë, Kushner siguroi fonde nga dy miliarderë nga Katari.
Ramës i pëlqeu jashtëzakonisht ideja e Kushnerit. Ai besonte se projekti do të krijonte mijëra vende pune dhe do ta kthente Shqipërinë, një nga vendet më të varfra të Evropës, në një destinacion për njerëz si ata me të cilët ai shoqërohej në Davos.
“Është fakt që turizmi i nivelit të lartë sjell më shumë të ardhura”, tha ai. Rama i dha kompanisë së zhvillimit të Kushnerit statusin e “investitorit strategjik”, një përcaktim zyrtar që i lejonte qeverisë të përdorte burime publike për të mbështetur projektin.
Në qarqet elitare të Perëndimit, Rama gëzon njëfarë fame; ai është një ish-yll basketbolli, me trup të gjatë e të hollë dhe mjekër të gjatë të thinjur, që së bashku i japin pamjen e Moisiut me tuta sportive.
Ai është një udhëheqës properëndimor i një vendi me shumicë myslimane dhe, siç i pëlqen t’ua kujtojë njerëzve, një artist i përkushtuar i arteve pamore.
Kur e vizitova në zyrën e tij në Tiranë, po bënte një vizatim abstrakt me lapsa pasteli.
Synimi i Ramës është ta fusë Shqipërinë, e cila gjatë epokës komuniste ishte e izoluar nga Perëndimi për gati pesëdhjetë vjet, në Bashkimin Evropian.
Ai më tha se plani i Kushnerit mund të ndihmonte.
“[Kushneri] dëshiron të ketë një projekt që mban vulën e tij dhe që do ta identifikojë si dikë që kujdeset për të gjitha çështjet e ndjeshme të kohës, nga mjedisi te ruajtja e trashëgimisë, arti dhe kultura”, tha ai. “Ambicia e projektit është të bëjë diçka absolutisht unike, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. Kjo është edhe ambicia ime.”
Një projekt i ngjashëm i Kushnerit kishte dështuar së fundmi. Në Serbinë fqinje ai dhe Grenell kishin planifikuar të ndërtonin një hotel Trump International dhe një kompleks apartamentesh me vlerë pesëqind milionë dollarë.
Në qendër të projektit ishte godina e braktisur e Shtabit të Përgjithshëm, të cilën në vitin 1999 e kishin bombarduar avionët luftarakë amerikanë, gjatë një operacioni të NATO-s për të mbrojtur shqiptarët etnikë nga një fushatë terrori e mbështetur nga qeveria.
Godina ishte shpallur objekt i mbrojtur i trashëgimisë kulturore dhe Kushner pranoi t’i respektonte shqetësimet e historianëve ndaj projektit të tij duke ndërtuar një përkujtimore “kushtuar të gjitha viktimave të agresionit të NATO-s”.
Qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiç, një udhëheqës populist dhe mbështetës i zëshëm i Trumpit, i përshpejtoi procedurat e miratimit.
Por në Beograd shpërthyen protestat [kundër projektit] dhe, më në fund, prokurorët serbë e akuzuan ministrin e Kulturës për falsifikim dokumentesh me qëllim sigurimin e lejeve. (Ministri e mohoi këtë.)
Nuk kishte asnjë të dhënë se dikush nga ekipi i Kushnerit kishte shkelur ligjin, por në prill ai vendosi të tërhiqej. “Projektet domethënëse duhet të bashkojnë, jo të përçajnë”, thuhej në një deklaratë të Affinity.
Megjithatë, nëse projekti [i Kushnerit] në Shqipëri i bashkoi njerëzit, ai i bashkoi ata për të kundërshtuar çiftin Kushner.
Në shkurt të vitit 2024, partia e Ramës, e cila kontrollonte shumicën në parlament, miratoi një ndryshim ligjor që lejonte ndërtimin e projekteve luksoze në zona të mbrojtura, përfshirë Zvërnecin.
Disa javë më vonë, Kushner shpalli planet e tij — por më pas ëndrra e tij nisi të përplasej me realitetet politike të Shqipërisë.
Ndonëse Ivanka e kishte quajtur Sazanin një “ishull privat”, zona prej kohësh ishte e hapur për publikun.
Ndërsa kompleksi në Zvërnec ishte planifikuar të ndërtohej në mes të një rezervati natyror prej dyzet mijë akrash.
Partnerët vendas të Kushnerit rrethuan një truall që kishte qenë një vend i frekuentuar nga pushuesit e plazhit. Shqiptarët nisën të ankoheshin se atij i ishin dhënë të drejta zhvillimi pa njoftim publik apo tender konkurrues dhe se ndryshimi ligjor që hapte tokat e mbrojtura për ndërtim ishte kaluar me nxitim në parlament.
Rama madje lejoi ndërtimin e një aeroporti brenda rezervatit.
Pothuajse brenda natës, Rama u bë shënjestër e një zemërimi të gjerë, ndërsa Kushner u kthye në figurën e të keqit — një plutokrat që donte ta shndërronte një hapësirë të madhe të vendit në një vend argëtimi për të pasurit.
Fshehtësia që rrethonte projektin shkaktonte pakënaqësi; edhe pse pothuajse një e katërta e tij është në pronësi të biznesmenëve shqiptarë, emrat e tyre fshihen pas një kompanie offshore.
Në qershor, banorët vendas shembën gardhin rreth plazhit. Më pas nisën demonstratat publike. Çdo mbrëmje, njerëzit mblidheshin në sheshin kryesor të Tiranës dhe marshonin drejt banesës së Ramës, rreth një milje larg, duke brohoritur gjatë rrugës.
Fillimisht, protestuesit u përqendruan te ndalimi i projektit të Kushnerit. Por kur shkova unë, disa javë më vonë, synimet e tyre dukej se kishin ndryshuar: ta detyronin Ramën të largohej nga detyra dhe të riformësonin sistemin politik të Shqipërisë.
“Kjo tani është shumë më e madhe se Xhared Kushner”, më tha një mbrëmje Erlis Çela, profesor komunikimi në Tiranë, ndërsa marshonte me mijëra shqiptarë të tjerë.
“Në këtë vend ka një grup fare të vogël njerëzish me shumë para, të cilët, brenda natës, në errësirë, marrin të gjitha vendimet e vendit.”
Për shumë njerëz me të cilët bisedova, projekti i Kushnerit pasqyronte një të vërtetë shqetësuese për Shqipërinë: pasuria dhe pushteti i vendit ishin në duart e një grushti oligarkësh, të cilët ishin pasuruar përmes veprimtarive të paligjshme, si pastrimi i parave për grupe kriminale ndërkombëtare.
Gjurmët e parave të pastruara, thoshin ata, shiheshin kudo në Tiranë, në formën e pallateve kryesisht të zbrazëta, të cilave shqiptarët u referohen si “banka betoni”.
“Rama ka krijuar këtë sistem ku oligarkët, politikanët dhe mediat punojnë së bashku, dhe kjo u jep dorë të lirë të bëjnë pothuajse gjithçka që duan”, më tha Fatos Lubonja, një gazetar që gjatë epokës komuniste ishte i burgosur politik. “Ramës i duhen njerëz si Kushner që të jenë fytyra e tij publike, që t’i sigurojnë mbështetje ndërkombëtare.”
Kushner heshti për demonstratat, por Rama nuk u tërhoq. Ai ia atribuoi kundërshtimin ndaj resortit një fryme politike të përhapur mes të rinjve shqiptarë. “Është një ideologji e tërë — ideologjia e brezit Z antikapitalist, e cila nuk ka lidhje me të vërtetën dhe faktet”, tha ai. “Nuk jam i shqetësuar për këto protesta. Nuk ka protestë që do ta ndalë këtë.”
Por një pengesë tjetër mund ta ndalë. Nga Tirana udhëtova me makinë drejt jugut, përgjatë bregdetit të Adriatikut, për në zonën ku Kushner dëshiron të ndërtojë. Pranë Zvërnecit, kalova përbri një manastiri ortodoks të quajtur Shën Mëria, një trashëgimi e Perandorisë Romake të Lindjes, dhe mbërrita në një treg.
Atje, një grup banorësh më thanë se pothuajse të gjithë zotëronin toka brenda zonës së parashikuar për projektin. Kushner, thanë ata, ishte përfshirë në një mosmarrëveshje ligjore shumëvjeçare që ai nuk arrin ta kuptojë.
Një ish-vjelës frutash në pension, i quajtur Minella Konomi, më shoqëroi në një kodër me pamje nga Adriatiku. Flamingo të bardha dhe skifterë këmbëkuq fluturonin mbi lagunën e konturuar nga një brez i gjatë dunash dhe plazhi.
Konomi tregoi një vend në largësi ku, sipas tij, ndodhej ngastra e familjes së tij. Paraardhësit e tij kishin kultivuar misër dhe qepë aty që nga koha e osmanëve, më tha; kohët e fundit toka kishte mbetur djerrë, por ai kishte dokumente që vërtetonin se i kishte paguar rregullisht taksat për të. “Kemi njëqind vjet këtu”, tha ai.
Në vitin 2006, më tregoi Konomi, ishte njoftuar se tokën e tij e kishte blerë Artur Shehu, një biznesmen shqiptar që më parë ishte hetuar për përfshirje të dyshuar në trafikimin e drogës dhe të emigrantëve. Nga ato hetime nuk doli gjë, por Shehu ishte larguar nga vendi pas asaj që policia e përshkroi si një përplasje me armë me një bandë rivale.
Shehu shkoi në Miami Beach, ku siguroi azil politik duke pretenduar se po e përndiqnin aleatë të qeverisë së dikurshme komuniste. Por ai vazhdoi të bënte biznes në Shqipëri dhe, me kalimin e kohës, grumbulloi një sipërfaqe të madhe toke rreth Zvërnecit. Ajo sipërfaqe, thanë banorët, përfshinte toka që u përkisnin me ligj atyre.
“Shehu falsifikoi dokumentet”, më tha Konomi.
Në prill, një kompani që po zhvillonte projektin e Kushnerit i pagoi Shehut njëqind e njëzet e pesë milionë dollarë për tokë në Zvërnec. Dy muaj më vonë, prokurorët lëshuan një urdhër të ri arresti për Shehun, nën dyshimin për trafik droge dhe pastrim parash.
Në dokumentet e paraqitura në një gjykatë shqiptare, ata argumentuan se toka e përfshirë në projektin e Kushnerit “dyshohej se ishte përfituar në mënyrë të paligjshme përmes falsifikimeve”. (Shehu i mohoi të gjitha akuzat.)
Nëse gjykata u jep të drejtë prokurorëve, projekti i Kushnerit mund të duhet të ndalet. Për Lubonjën, fati i resortit është një provë e përparimit që ka bërë vendi i tij.
“Njerëzit mendojnë se sistemi i reformuar i drejtësisë në Shqipëri po funksionon”, tha ai. “Sipas meje, kjo është e pamundur. Është si një flotë anijesh që lëvizin të gjitha në të njëjtin drejtim. Nuk mund t’ia ndryshosh drejtimin me vetëm një anije të vogël.”
Artikulli origjinal mund të lexohet i plotë këtu.
Shpërndaje te miqtë
