Xhared Kushner dëshiron të ndërtojë një resort miliarda dollarësh në bregdetin shqiptar. Por prokuroria po heton për pastrim parash dhe trafik kokaine në rrethin e personave të lidhur me projektin, ndërsa protestat në vend po ziejnë.
Ivanka Trump e ka ende të gjallë para syve atë çast; duket në vështrimin e saj ëndërrimtar. Pesë vjet më parë, ajo dhe bashkëshorti i saj Xhared Kushner po lundronin qetësisht me jahtin e një miku pranë bregdetit shqiptar, kur papritur u shfaq ky “ishull privat”.
Ata notuan deri në breg dhe, siç pretendojnë, u ngjitën “zbathur” në kodrat e Sazanit.
Pastaj, përtej në bregun përballë, panë një lagunë të rrethuar nga “plazhe të bukura me rërë të bardhë”.
Atë çast ajo e kuptoi: Ky mund të bëhej “një projekt i jashtëzakonshëm”.
Kështu e tregoi vajza e Donald Trumpit ngjizjen e projektit të saj në një podcast më 31 maj. Është një histori e bukur.
Do të tingëllonte edhe më bukur nëse vetëm një ditë më parë, më 30 maj, nuk do ishte shfaqur në internet një tjetër video, e xhiruar pikërisht në atë lagunën përrallore.
Në të shihen njerëz të shqetësuar përballë telave me gjemba dhe roje me syze të errta që tërheqin zvarrë nëpër rërë, e cila nuk është edhe aq e bardhë, një protestues të pambrojtur, të shtrirë përtokë.
Që nga ajo ditë, projekti i Ivanka Trumpit është bërë edhe më i pabesueshëm, ndërsa në Shqipëri zemërimi i njerëzve ka shpërthyer.
Mbrëmje pas mbrëmjeje, flamingo prej kartoni
Këtë verë, vendi po përjeton një trazirë që nuk është parë prej shumë kohësh. Që nga fillimi i qershorit, qytetarët mblidhen çdo ditë në sheshin Skënderbej, në Tiranë. Në fillim ishin qindra, pastaj mijëra dhe, në fund, dhjetëra mijëra. Një shifër befasuese për një vend me pak më shumë se tre milionë banorë.
Ndërkohë, protesta janë zhvilluar edhe në Berlin, Londër, Stokholm, Bruksel, Milano dhe në vende të tjera të botës, ku është shpërndarë diaspora shqiptare gjatë dekadave të fundit.
Në fillim, njerëzit protestonin kundër një resorti luksoz miliarda dollarësh në jug të Shqipërisë, të promovuar nga familja Trump — pjesa më e madhe e të cilit ndodhet në një zonë të mbrojtur, ku jetojnë shpendë dhe kafshë të rrezikuara.
Por sa më shumë dilnin në dritë çuditë që rrethonin projektin, aq më shumë rritej zemërimi i protestuesve, të cilët mbrëmje pas mbrëmjeje ngrinin flamingo prej kartoni në zonën qeveritare.
Prej kohësh, zemërimi i tyre drejtohet kundër një politike, e cila për dekada me rradhë u ka marrë shqiptarëve gjithçka që u pëlqente. Kundër pafuqisë së tyre përballë një sistemi ku ligji është më tolerant për ca dhe jo për të tjerët.
“Revolucioni i Flamingove” është kthyer në një krizë të sistemit. Dhe në një rrezik për Edi Ramën, një artist shtatlartë me petkun e një burrështeti, i cili e qeveris vendin me dorë të fortë që prej vitit 2013, dhe konsiderohet i përkëdheluri i Bashkimit Europian në Ballkan.
Kjo lidhet, nga njëra anë, me sjelljen e tij të përzemërt e prej shakaxhiu dhe, nga ana tjetër, me gatishmërinë e tij bujare për t’ia mbajtur larg BE-së migrantët e padëshiruar.
Ai dëshiron që vendi i tij të bëhet anëtar i BE-së deri në vitin 2030.
Sazani po quhet tashmë “Ishulli i Trumpëve”
Rama e ka mbështetur me gjithë forcën ëndrrën shqiptare të Ivanka Trumpit për ishullin. Por tani pyetjen nëse gjithçka po zhvillohet ligjërisht në këtë projekt miliarda dollarësh nuk po e bëjnë vetëm protestuesit në sheshin Skënderbej, por edhe prokurorët shqiptarë.
Në ajër qarkullojnë akuza të pakëndshme: falsifikim dokumentesh, pastrim parash, madje edhe krim i organizuar.
Për momentin, në vendin ku mund të ndërtohet një nga resortet më ekskluzive të Mesdheut, ka vetëm gurë dhe rërë.
Megjithatë, kjo çështje është ktheyr tashmë në portretin moral të një vendi që u nda nga komunizmi në fillim të viteve nëntëdhjetë, por ende nuk ka krijuar një shtet të së drejtës që funksionon.
“Sazani ka një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe më të veçanta që kam parë ndonjëherë.” Jared Kushner, investitor
Fakti që emri i presidentit amerikan rri pezull mbi të gjithë këtë panoramë, në njëfarë mënyre, përshtatet me tablonë: Përse të mos jetë e mundur edhe në një nga vendet më të vogla, më të varfra dhe më të korruptuara të Europës ajo që në shtetin më të fuqishëm të botës është riinterpretuar si "arti i qeverisjes"?
Sidomos kur bëhet fjalë vetëm për disa plazhe të pabanuara dhe një ishull të largët. Në Shqipëri, disa e quajnë atë tashmë “Ishulli i Trampëve”.
Si një pulëbardhë gjigante
Sazani, prona e shumëdëshiruar, shtrihet në mënyrë idilike dhe të dukshme përpara bregdetit të Shqipërisë së Jugut, në një pozicion strategjik atje ku Adriatiku bashkohet me Jonin.
I parë nga plazhi i Vlorës, ai ngrihet mbi ujë si një pulëbardhë gjigante që hap krahët. Me sipërfaqe prej rreth pesë kilometrash e gjysmë katrorë, Sazani është ishulli më i madh i vendit.
Por deri në fund të Luftës së Ftohtë, kur shërbente si një bazë ushtarake e izoluar rreptësisht, pothuajse asnjë civil nuk kishte shkelur atje.
Sot, vizitorët mund të udhëtojnë nga Vlora për 25 euro. Një mëngjes të kthjellët të marte në qershor, ndoshta 100 turistë ngjeshen në portin e qytetit në disa skafe, të cilat pak më vonë do të përplasen fort mbi dallgë, çdo pak metra, gjatë një udhëtimi të egër.
Pas 30 minutash mbërrin në një mol, pas të cilit shtrihen një plazh me zhavorr të trashë dhe mbetjet e një raporti ushtarak që dikur ruhej rreptësisht: vinça portualë të gërryer nga ndryshku, kontejnerë të dëmtuar dhe skelete godinash të mbuluara me shkrime grafiti.
Në Sazan—kumbojnë nga altoparlanti i varkës fjalët e mirëseardhjes të udhërrëfyesit tonë—sovjetikët dikur kishin fshehur nëndetëse. Ndërsa sot ishulli është një parajsë natyrore me shumë lloje të rralla bimësh, “të cilën më në fund mund ta eksplorojë kushdo”. Edhe miliarderët amerikanë.
I mbushur me municione të pashpërthyera
Një shteg betoni, ndoshta tri metra i gjerë, gjarpëron nga moli përpjetë kodrës, i rrethuar nga pisha, dëllinja, shkurre manaferrash dhe oleandra. Në disa vende betoni është çarë dhe i pushtuar nga bimësia.
Duhet të jetë e dhimbshme të ecësh zbathur mbi të. Tabelat paralajmërojnë të mos largohesh nga shtegu, pasi zona të tëra të Sazanit janë ende të mbushura me municione të pashpërthyera.
Lart qëndrojnë si dhëmbë të kalbur skeletet prej guri të banesave, ku dikur strehoheshin rreth 3 000 punonjës të ushtrisë. Krahas tyre gjenden rrënojat e një kinemaje, një shkolle dhe një restoranti, muret e të cilave janë pushtuar prej kohësh nga bimësia.
Pamja panoramike mbi Parkun Kombëtar Detar Karaburun-Sazan është madhështore; heshtja ndërpritet vetëm herë pas here nga zhurma e motorëve të varkave.
“Sazani ka një nga vijat bregdetare më të paprekura dhe më të veçanta që kam parë ndonjëherë”, u shpreh me entuziazëm Xhared Kushner në një intervistë në vitin 2024.
Po atë vit, dhëndri i Donald Trumpit paraqiti në llogarinë e tij në X pamjet e para të ishullit të ardhshëm luksoz: shtëpi njëkatëshe në ngjyrën e rërës, me fasada tërësisht prej xhami, të futura në shpat si tarraca artificiale gëlqerore.
Në pamje të tjera shihen një port luksoz jahtesh dhe pishina panoramike që duken sikur qëndrojnë pezull mbi det.
Pak nga pak, në publik u bënë të njohura edhe planet paraprake për pjesën e bregdetit përballë ishullit, rreth fshatit Zvërnec. Ato përfshijnë, ndër të tjera, vende ankorimi për jahte tepër të mëdha, një qendër të kujdesit të bukurisë, një park ujor, një fushë golfi dhe banesa elegante për mijëra blerës me mundësi financiare.
Vlera e parashikuar e investimit: rreth katër miliardë euro.
Destinacion turistik i klasit botëror
Nga do të vijnë saktësisht paratë dhe deri ku kanë përparuar planet e zhvillimit, siç ndodh shpesh në botën e të pasurve, nuk mund të thuhet lehtësisht.
Një kompanie marrëdhëniesh me publikun iu përgjigj një kërkese të SPIEGEL-it drejtuar fondit të Kushnerit, Affinity Partners. Fillimisht ajo theksoi se ky nuk ishte një projekt i Affinity dhe se Kushner ishte përfshirë vetëm “si person privat”.
Megjithatë, agjencia informi se mund të citonim Asher Abehserën — një partner i vjetër biznesi i Kushnerit — në cilësinë e tij si drejtues i kompansië “Sazan Real Estate Development LLC”, me seli në Katar.
Por Abehsera mjaftohet me formulime të zbukuruara, duke na thënë se planifikohet “një destinacion turistik i klasit botëror”, i cili do të kremtojë “bukurinë natyrore” të vendit dhe do të “krijojë vende pune”. Por vendimin për planet përfundimtare do ta merrnin “njerëzit në Shqipëri”.
Këtu hyn në skenë Edi Rama, i cili nuk është vetëm kreu i qeverisë shqiptare, por drejton edhe Këshillin Kombëtar të Territorit, organin ndërministror që ka fjalën e fundit për të gjitha investimet e mëdha dhe projektet strategjike të infrastrukturës në vend.
Me fjalë të tjera: pa Ramën, nuk ka resort luksoz në bregdet. Aq më pak në Sazan, sepse ai nuk është aspak një “ishull privat” — i përket shtetit. Dhe kështu duhet të mbetet.
Rama, shtatlarti dymetërsh që flet disa gjuhë, ka qenë në dijeni të projektit luksoz të Kushnerit që nga fillimi. Që në verën e vitit 2021, kur çifti i fuqishëm amerikan lundroi pranë Sazanit, dhe Rama hipi në jahtin e tyre.
Vetë Kushner e ka treguar këtë në një intervistë. Rama, nga ana e tij, i ka treguar Associated Press se kishte biseduar me Kushnerin për planet e tij të investimit në Shqipëri gjatë Forumit Ekonomik Botëror në Davos, në vitin 2022.
Në verën e vitit 2023, të dy u shfaqën së bashku në Tiranë.
Një zonë e veçantë e mbrojtur natyrore
Në vitin 2024, kur Kushner i bëri publike planet e tij, Shqipëria ndryshoi me shpejtësi një ligj për t’i lehtësuar ndjeshëm projektet e ndërtimit në zonat bregdetare dhe ato të mbrojtura.
Në dhjetor të po atij viti, pak javë pas rizgjedhjes së Trumpit, një komitet qeveritar, i drejtuar gjithashtu nga Rama, i dha projektit statusin e një investimi “strategjik” dhe, për rrjedhojë, përparësi, sipas një tjetër ligji të debatueshëm.
Pak më vonë, qeveria dhe investitorët vunë në lëvizje planet konkrete për resortin luksoz.
Në përgjigje të një kërkese të SPIEGEL-it, qeveria shqiptare mohoi se ligji ishte ndryshuar për shkak të projektit miliarda dollarësh të Kushnerit.
Për më tepër, rregullimi i ri nuk “kishte ndryshuar në ndonjë mënyrë statusin juridik të zonave të prekura nga këto projekte».
Kush e di, ndoshta streha e të pasurve në ishull do të kishte marrë formë pa shumë zhurmë, nëse Kushneri dhe financuesit e tij do të ishin kënaqur vetëm me ishullin dhe nuk do të kishin synuar edhe “plazhet e bukura me rërë të bardhë” në bregun përballë.
Sepse toka e lakmuar atje, ndryshe nga Sazani, nuk i përket shtetit.
“Përralla e Kolombit”
Një mbrëmje të nxehtë të marte, pak para perëndimit të diellit, Petraq Balliu thotë: “Më kujton komunizmin; edhe atëherë na e morën tokën pa na pyetur”. Ai qëndron në plazhin e hidrovorit, i cili në këtë orë është zhytur në një dritë magjike portokalli dhe rozë.
Përveç disa notarëve pranë një barake të improvizuar me dërrasa, nuk shihet askush përreth. Shumë larg në det, Sazani fshihet nën një perde resh.
Balliu hedh një vështrim të shkurtër nga ishulli, shfryn ajrin përmes buzëve dhe thotë: “Një përrallë të bukur Kolombi tregoi Ivanka Trumpi”.
Balliu, një 61-vjeçar që pi cigare pa pushim dhe i ka flokët të prera shumë shkurt, është menaxher në një port hidrokarburesh në qytetin portual të Durrësit.
Ai ka udhëtuar enkas 120 kilometrat prej andej për të treguar historinë e tij. Balliu beson se mund të provojë që toka ku qëndron u përket atij dhe vëllezërve e motrave të tij.
Problemi është se edhe të tjerë besojnë të njëjtën gjë. Sepse toka për të cilën bëhet fjalë është e çmuar. Në çdo kuptim.
Laguna e Nartës, me sipërfaqe mbi 40 kilometra katrorë, midis fshatrave Zvërnec dhe Pishë Poro, është një nga ekosistemet bregdetare me larminë më të madhe biologjike në rajonin e Mesdheut.
Mijëra flamingo jetojnë atje, bashkë me disa llojeve të rrezikuara shpendësh, si pelikani kaçurrel dhe skifteri i kuq. Zona është strehë për fokën e rrallë mesdhetare, ndërsa në dunat përreth breshkat e detit lëshojnë vezët.
Vjosa, një nga lumenjtë e fundit të egër në Europë, derdhet në Adriatik aty pranë.
“Korrupsion! Korrupsion!”
Deri në momentin kur Shqipëria ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura në vitin 2024, ndërtimi në zona të ndjeshme si Laguna e Nartës ishte praktikisht i pamundur.
Që atëherë, toka përreth është bërë jashtë zakonisht e vlefshme për investitorët.
Pyetja e vetme është: Kujt i përket në të vërtetë?
Përgjigjja është objekt debatesh prej dekadash. Duke filluar nga mesi i viteve 1940, komunistët që sundonin Shqipërinë shpronësuan gradualisht, pa kompensim, pronarë të panumërt tokash, përfshirë edhe në zonën e Zvërnecit.
Pasardhësit e tyre luftojnë prej më shumë se tri dekadash për kthimin e pronave.
Kuadri ligjor është i paqartë, kadastra e paplotë dhe kontradiktore, ndërsa disa dokumente pronësie datojnë ende nga periudha e sundimit osman.
As drejtësisë nuk mund t’i besohet gjithmonë. Që nga viti 2016, qindra prokurorë dhe gjyqtarë janë detyruar të largohen nga detyra për shkak të dyshimeve për korrupsion.
Balliu thotë se, megjithatë, kishte qenë i bindur se do ta merrte përsëri tokën e të parëve të tij. Që në vitin 2003, gjykata kompetente vërtetoi se dokumentet e tij ishin autentike dhe se, për këtë arsye, ai kishte të drejtë të ligjshme mbi më shumë se 200 hektarë tokë pranë Lagunës së Nartës.
Në vitet që pasuan, ai fitoi edhe procese të tjera. Por vendimet u rrëzuan më pas nga gjykatat e shkallëve më të larta.
Përse?
“Korrupsion! Korrupsion!”, bërtet Balliu. Kjo kuptohet edhe pa përkthyes.
Një biznesmen nga Majami
Balliu vazhdoi betejën gjyqësore. Herë pas here, gjatë gjithë këtyre viteve, atë e kishin kontaktuar figura të çuditshme, të cilat e kishin këshilluar të hiqte dorë dhe të pranonte në këmbim një dëmshpërblim qesharakisht të ulët.
Ai pretendon se disa prej këtyre njerëzve i kishte njohur dhe se ata bënin pjesë në rrethin e zyrtarëve të lartë qeveritarë. Kjo nuk mund të verifikohet.
Të paktën tri familje pretendojnë, praktikisht, të njëjtën sipërfaqe toke. Njëra prej tyre është veçanërisht interesante: familja e “biznesmenit” Artur Shehu, një shqiptar i lindur në Shqipëri, me pasaportë amerikane, i cili sot banon në një vilë shumë milionëshe në Majami.
Edhe familja e Shehut përpiqet prej shumë vitesh të sigurojë nëpërmjet gjykatave prona pranë Lagunës së Nartës.
Fakti që gjatë proceseve ajo paraqiti dokumente të provuara si të falsifikuara nuk e pengoi: në gjyqin më të fundit zhvilluar deri tani, një gjyqtar vendosi përsëri në favor të familjes Shehu.
Megjithatë, çështja është ende shumë larg vendimit përfundimtar.
Por pavarësisht kësaj, Artur Shehu u mburr para pak kohësh publikisht se e kishte shitur tokën pranë lagunës.
Avokati i tij i konfirmoi SPIEGEL-it se Shehu ua kishte shitur në maj investitorëve nga Katari, për 68 euro për metër katror, tokën të cilën e kishte fituar ligjërisht “pa asnjë dyshim”. Meqenëse bëhet fjalë për të paktën 200 hektarë, çmimi i shitjes arrinte në qindra milionë euro.
Aeroport pranë lagunës
Situata në Lagunën e Nartës u përshkallëzua — dhe përsëri kryeministri Edi Rama luajti një rol jo pak të rëndësishëm.
Në mars 2026, ndërsa procesi gjyqësor ishte ende në zhvillim, Këshilli Kombëtar i Territorit, i drejtuar prej tij, dha një leje zhvillimi për projektin Kushner/Trump mbi tokën në konflikt.
Qeveria mjaftohet duke thëtë se nuk gjykon “mosmarrëveshjet për tokën”, pasi kjo është “çështje e organeve të drejtësisë”.
Ambientalistëve kjo u kujton vitin 2022, kur qeveria Rama zvogëloi zonën e mbrojtur për të mundësuar ndërtimin e një aeroporti të ri midis lagunës dhe lumit Vjosa.
Pavarësisht proceseve gjyqësore ende në vazhdim, pjesë të mëdha të aeroportit tashmë kanë përfunduar.
Nëse lagjja e planifikuar me vila buzë detit bëhet realitet, ajo do të ketë pranë edhe një pistë avionësh.
Se cilët janë investitorët që deri tani i kanë sytë sytë lagunës kuptohet vetëm në vija të përgjithshme. Shumë financues duket se parapëlqejnë të mbeten anonimë, veçanërisht nëpërmjet fondeve offshore.
Të përfshirë nuk janë vetëm investitorë ndërkombëtarë, por edhe biznesmenë të dyshimtë shqiptarë. Sipas një investigimi të rrjetit të pavarur Balkan Investigative Reporting Netëork (BIRN), mes tyre është edhe një kompani që ka pronar edhe një gjyqtar, që disa vite më parë kishte vendosur në favor të Shehut për tokat.
Në protestat e përditshme dhe mes kritikëve të qeverisë përmendet herë pas here emri i miliarderit Shefqet Kastrati, i cili është i kudogjendur në Shqipëri.
Kastrati Group nuk ka vetëm një rrjet të gjerë pikash karburanti në të gjithë vendin, por edhe Aeroportin e Tiranës dhe një kompani të madhe të ujit mineral.
Të rrafshuara nga buldozerët
Një fotografi e janarit 2026 tregon djalin e Shefqet Kastratit, Musain, së bashku me Ivanka Trumpin dhe Edi Ramën në jug të Lagunës së Nartës. Që në vitin 2024, Neë York Times citonte Musa Kastratin të thoshte se kompania e familjes së tij do të luante rol në projektin Kushner/Tramp në Shqipëri.
Disa muaj më parë, Kastrati Group kishte blerë një hotel luksoz në Shtetet e Bashkuara për afro 54 milionë dollarë. Adresa e tij: 1300 South Miami Avenue. Përsëri Majami.
Kompania nuk iu përgjigj një kërkese të SPIEGEL-it.
Kur Petraq Balliu shkoi në maj të shihte se çfarë po ndodhte në tokën që ai besonte se i përkiste, pranë Lagunës së Nartës, papritur u gjend përballë një gardhi metalik. Pas tij, punimet e ndërtimit me sa duket vazhdonin prej javësh, pa u vënë re nga askush. “Sigurisht që nuk është rastësi”, thotë sot Balliu. “Këtu vërtet nuk jeton askush.”
Ai na çon në një pyll të dendur me pisha, i cili kohët e fundit është ndarë nga një rrugë me çakull, disa kilometra e gjatë. Pas pyllit ndodheshin pjesë të dunave ku breshkat e detit lëshojnë vezët. Buldozerët i kishin rrafshuar, thotë Balliu.
Në fund të majit, videot nga kantieri u përhapën me shpejtësi. Mes tyre ishte edhe ai që tregonte rojet duke tërhequr brutalisht një protestues në plazh, ndërsa forcat e policisë së shtetit vështronin të patrazuara.
Autoritetet reaguan në mënyrë të ethshme. Ato ndaluan punimet, hoqën me shpejtësi gardhin rreth lagunës dhe nisën hetimet ndaj një roje që kishte ushtruar dhunë.
Por ndërkohë, shkëndija kishte ndezur tashmë të gjithë vendin.
Trafik kokaine dhe pastrim parash
Zemërimi i shqiptarëve nuk u zbut kur, në qershor, SPAK njoftoi një sukses spektakolar të një operacioni hetimor: pas pesë vjetësh hetime ndaj një rrjeti ndërkombëtar, “të përfshirë në trafik kokaine dhe pastrim parash”, ishte urdhëruar arrest me burg ose arrest shtëpie për 20 persona. Mes tyre ishte edhe Artur Shehu.
Sipas hetuesve, të cilët gjatë viteve të fundit kanë dërguar pas hekurave disa bashkëpunëtorë të afërt dhe ministra të qeverisë së Edi Ramës, disa prej të akuzuarve kishin trafikuar kokainë nga Amerika Latine drejt Europës.
Të tjerë kishin pastruar fitimet nëpërmjet investimeve në prona dhe projekte ndërtimi në të gjithë Shqipërinë, veçanërisht në Tiranë, ku prej vitesh ngrihen kulla të larta luksoze, shumë prej të cilave mbeten bosh. Ose në zonat bregdetare — si ajo pranë Lagunës së Nartës.
Sipas raportimeve në media, SPAK pohon se në Nartë toka ishte përvetësuar “përmes falsifikimit të dokumenteve”.
Në dosjet hetimore thuhet gjithashtu se disa nga marrëveshjet për tokën ishin “mbështetur nga autoritetet politike”.
SPAK-u ka urdhëruar tashmë sekuestrimin e tokave, vilave dhe shumave të mëdha të parave.
Hetues të pamëshirshëm
Avokati i Shehut i konsideron politikisht të motivuara akuzat kundër klientit të tij: “Zoti Shehu nuk ka pasur kurrë në jetën e tij lidhje me veprimtari të paligjshme, aq më pak me trafik droge”.
Nuk ka asnjë të dhënë se Jared Kushner ose Ivanka Trump mund të jenë të përfshirë në veprimtari të tilla.
Ndërkohë, kryeministrit Rama duket se i ka humbur durimi. Një pyetje të një gazetari për projektin miliarda dollarësh në bregdet ai e quajti “Bullshit”.
Protestuesve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij dhe e shohin si një lloj “kumbari” mafioz, ai iu drejtua gjatë një intervistë me: “Fuck you!”
Rama beson se e gjithë trazira ekziston vetëm për shkak të emrave Kushner dhe Tramp. Pa ta, “askujt nuk do t’i plaste” për flamingot.
Zëdhënësja e tij i tha SPIEGEL-it se hetimet e SPAK-ut nuk përbënin arsye që qeveria ta rivlerësonte projektin miliarda dollarësh: «”Aktualisht: nuk kishte “asnjë bazë ligjore për anulimin e lejes së zhvillimit” vetëm se hetohet një ish-pronar i tokës.
Nga këndvështrimi i qeverisë, investitorët e kishin blerë “ligjërisht” tokën pranë lagunës. Për çdo rast, pagesa e blerjes ëshetë ngrirë deri në sqarimin përfundimtar ligjor.
Me pak fjalë: Projekti me siguri “nuk do të ndalet nga dezinformimi, zhurma politike apo pretendimet që bien ndesh me faktet:”.
Idetë e Trumpit për Ballkanin
A mendojnë të njëjtën gjë edhe investitorët e projektit miliarda dollarësh?
Të paktën Xhared Kushner duket se ka filluar të ketë dyshime. Lidhur me hetimet e SPAK-ut, kompania e tij e marrëdhënieve me publikun deklaroi se, deri në një njoftim të mëtejshëm, vazhdonte të besonte “se toka ishte blerë ligjërisht»”. Por, sigurisht, ai do të respektonte “çdo procedurë ligjore”.
Në një deklaratë të mëparshme, partneri i biznesit i Kushnerit, Abehsera, kishte thënë pa mëdyshje: Nëse provohen veprime të paligjshme lidhur me tokën, “do të tërhiqemi nga kontrata e blerjes”.
Nuk do të ishte hera e parë që familja Trump tërhiqet në kohën e duhur nga një prej ideve të saj të shumta të biznesit në Ballkan. Në Beograd, për shembull, Xhared Kushner dëshironte që, së bashku me investitorë të tjerë, ta shndërronte ndërtesën e bombarduar të ish-Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë jugosllave në një hotel luksoz të markës “Tramp”.
Por planet e tyre shkaktuan protesta disajavore dhe nxitën hetime për korrupsion dhe falsifikim dokumentesh ndaj përfaqësuesve të qeverisë.
Në fund, familja Trump e humbi interesin.
Në dhjetor 2025, ajo u largua. Dhe iu drejtua projekteve të tjera të ëndrrave.
Shpërndaje te miqtë
