“Unë mendoj që neni 179 paragrafi i dytë i Kushtetutës është mjaft i qartë dhe ka të bëjë vetëm me parimin e rotacionit.
Radha e përcaktuar në Kushtetutë ka të bëjë vetëm me faktin se kush është organi i emërtesës që zgjedh anëtarin në vakancën e shpallur. Dhe nuk është koha njëherë presidenti, njëherë parlamenti dhe njëherë Gjykata e Lartë.”
Neni 179, pika 2 e Kushtetutës e thotë qartësisht radhën që duhet ndjekur për emërimin e anëtarëve të GjK-së:“Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.”
Për betimin e anëtarëve të rinj të GjK-së para presidentit Ministrja Gjonaj kundërshtoi presidentin Meta dhe Kushtetutën dhe për sa i përket betimit të anëtarëve të sapoemëruar para presidentit. Gjonaj u shpreh se ‘betimi është një akt formal, solemn, nuk mundet që një akt solemn e formal të bllokojë procesin.’ Megjithatë Kushtetuta është mjaft e qartë për vendin se ku betohen anëtarët e rinj të GJK. Neni 129 i Kushtetutës parashikon:“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.”
Ky parashikim kushtetues përforcohet edhe nga ligji Për Gjykatën Kushtetuese, i cili në nenin 8 të tij parashikon:“Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës së Shqipërisë.”
Këto vendime të presidentit, të cilat ministrja Gjonaj i quajti ‘pengesa nga ana e presidentit’, ajo tha se do të përfshihen në hetimin e Komisionit parlamentar për shkarkimin e Metës:“Të gjitha këto shkelje që Presidenti ka bërë lidhur me emërimin në Gjykatën Kushtetuese, të përfshihet në Komisionin Hetimor. Me një vendim të Kuvendit kjo mund të përfshihet në Komisionin Hetimor.
Parlamenti mund të marrë një vendim shkarkimi. Por Presidenti ka funksionet deri në vendimin final që e jep Gjykata Kushtetuese. Por presidenti deligjitimohet në momentin që shkarkohet nga Kuvendi.”
Sërish ministrja Gjonaj tregon se nuk ka njohuri të sakta për Kushtetutën. Në nenin 131, pika dh, tregohet qartë se është Gjykata Kushtetuese organi që vendos për shkarkimin e presidentit. Ndërsa termi 'deligjitimim i presindentit' nuk parashikohet në Kushtetutë, por është përdorur në mënyrë politike nga Zonja Gjonaj.
