Fotografi gjatë takimit të Süleyman Soylu me Kryeministrin Rama në Tiranë.[/caption]
Së pari, është shumë shqetësues fakti se Rama, në mënyrë të ngjashme me Erdoganin, nuk bën dallim mes organizatorëve të grushtit të shtetit në Turqi, dhe anëtarëve të Lëvizjes Gylen në Shqipëri. Vitin e shkuar, ai tha se:
"Unë di të them që ai rrjet që organizoi përmbysjen me dhunë të një qeverie të zgjedhur në Turqi është një rrjet i rrezikshëm. Kur vjen puna tek Shqipëria, ne sigurisht që njerëz, të cilët supozohen të lidhur me atë rrjet, i mbajmë në vëzhgim."
Rama nuk është shprehur kurrë, siç kanë bërë drejtues të tjerë evropianë, për domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të njeriut në luftën e qeverisë turke kundër ‘terrorizmit’. Rama kurrë nuk e ka ndarë shapin nga sheqeri: dënimin e atyre që kryen një grusht shteti dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të drejtuesve të Lëvizjes Gylen në Shqipëri apo të mësuesve të shkollave turke këtu. Për sa kohë këtë nuk e ka bërë në publik, është e vështirë të besohet se mund ta ketë bërë në takime me drejtues të qeverisë turke. Kjo të çon te dyshimi i arsyeshëm se bisedimet e tij dhe të Lleshajt me Ministrin Sojllu, mund veç t’i jenë përmbajtur drejtimit që pala turke ka dashur t’i japë. Publikisht Presidenti Erdogan dhe ministra të tij kanë kërkuar vazhdimisht mbylljen e shkollave turke. Jopublikisht, siç ka ndodhur në shumë vende të tjera me demokraci të dobëta, është kërkuar dhe arritur edhe deportimi i disa anëtarëve të Lëvizjes Gylen drejt Turqisë. Së dyti, ish-Ministri i Punë të Jashtme Ditmir Bushati është treguar vazhdimisht i kujdesshëm në deklaratat e tij lidhur me Lëvizjen Gylen në Shqipëri. Ai ka shprehur mbështetjen e Shqipërisë kundër organizatorëve të grushtit të shtetit, por ka shmangur lidhjen e shkurtër mes tyre dhe kësaj lëvizjeje në Shqipëri. Deklarata e Ministrit Sojllu se në Tiranë ai dhe Kryeministri Rama ka marrë “vendime të rëndësishme” ngjall shqetësimin se kjo vizitë mund të shënojë një kthesë në politikën e qeverisë shqiptare lidhur me Lëvizjen Gylen. Paqartësia e deklaratave të Ramës dhe mospërmendja e kësaj teme nga Ministri Lleshaj veçse i shtojnë këto dyshime. Së treti, lidhjet personale të Kryeministrit Rama me Presidentin Erdogan janë gjithashtu shqetësuese, ndër të tjera, në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Një javë përpara vitizës së Ministrit Sojllu në Tiranë, Kryeministri Rama postoi, më 18 korrik, një foto të tij dhe të Presidentit Erdogan, duke biseduar në kopshtin e njërës prej rezidencave të drejtuesit turk. Ata të dy e kanë deklaruar shpesh marrëdhënien e shkëlqyer personale mes tyre, sadoqë në pamje të parë kjo duket e pabesueshme: Rama, një artist evropian me veshje të pazakontë dhe Erdogani, një tradicionalist në gjithçka të tijën. Rasti i rrëmbimit të mësuesve turq me urdhër të Presidentit Thaçi, i cili po ashtu ka marrëdhënie të afërta personale me Presidentin Erdogan, tregon qartë se si drejtuesit autoritarë mund të përdhosin Kushtetutën e të gjitha ligjet ndërkombëtare, kur ua do puna. Rama, sigurisht që ka një presion edhe më të shtuar ndërkombëtar për të mos bërë ndonjë marrëzi të shkallës së Thaçit ndaj Lëvizjes Gylen. Nga ana tjetër, autoritarizmi i tij në rritje në Shqipëri, dhe mungesa e një sistemi të pavarur gjyqësor, për të cilin ai akuzohet se e kontrollon, ashtu siç kontrollon edhe Parlamentin, nuk mund të sigurojnë kënd se Kryeministri Rama do të garantojë sigurinë e atyre që supozohen si anëtarë të Lëvizjes Gylen në Shqipëri. Kryeministrit Rama, me gjithë përgjegjësitë që i ngarkon posti, i takon t’i sigurojë në mënyrë të qartë, pa dykuptimësi, shqiptarët dhe turqit që jetojnë këtu, se si e konsideron qeveria e tij veprimtarinë e Lëvizjes Gylen në Shqipëri. Ai e ka për detyrë të sqarojë nëse është e vërtetë deklarata e Ministrit Sojllu se ata të dy kanë marrë “vendime të rëndësishme” në lidhje me këtë lëvizje dhe, nëse po, çfarë vendimesh?
