Jo vetëm që u shpërdorua një vit pa bashkëpunim, përqëndrim e përgjegjësi, por gjithçka u përkeqësua vetëm në interes të luftës për pushtet. Ndërkohë kanë kaluar më shumë se dy muaj nga dita kur u dhashë mundësi të dy palëve për të realizuar zgjedhje vendore gjithëpërfshirëse.
Sipas Metës mbajtja e zgjedhjeve më 13 tetor mund t’i shtojë sado pak shanset që BE të ndryshojë qëndrim ndaj zgjerimit:Ende kemi mundësi t'i shfrytëzojmë këto ditë, për të realizuar zgjedhje në 13 tetor 2019, si një detyrim, jo vetëm ligjor, por edhe si domosdoshmëri për të mos i mbajtur zero shanset që Shqipëria t'i çelë negociatat për anëtarësim me BE në 18 tetor 2019.
Javën e shkuar, Kryeministri Edi Rama në një intervistë për Euro-news fajësoi BE-në për moshapjen e negociatave dhe kërcënoi se nëse Shqipëria ndahet nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit, rajoni mund të destabilizohet. Presidenti thekson se palët nuk duhet të justifikohen më, pasi zgjedhjet e lira e të ndershme janë pjesë e pashmangshme për t’u respektuar prej kritereve të Kpenhagenit. Sipas Metës ka kohë jo vetëm për të mbajtur zgjedhjet e 13 tetorit, por edhe për të gjetur marrëveshje për reformën zgjedhore. Presidenti këmbëngul se çështja e integrimit duhet parë me realizëm dhe përgjegjësi. Një qasje e tillë do të nxiste palët për t’i lexuar drejtë sfidat që vendi ka përpara “veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”. Por Meta rikujton se viti i ardhshëm mund të jetë edhe më i vështirë për çështjen e integrimit të Shqipërisë:Provimi ynë i qershorit të ardhshëm do të jetë shumë i vështirë e kërkues pasi edhe vetë Bashkimi Europian do të ketë provimin e tij zgjedhor në të njëjtën kohë.
Ndaj, i ftoj të gjithë për përqendrim, përgjegjësi dhe bashkëpunim.
