“Do të vazhdojmë të diskutojmë këtë temë dhe kemi rënë dakord që para samitit e Zagrebit do t’i rikthehemi kësaj çështjeje”.
Samiti i Zagrebit parashikohet të mbahet në muajt prill-maj të vitit 2020. Zonja Merkel u pyet nga gazetarët se “çfarë mendonte rreth stepjes që kanë në Gjermani kundrejt negociatave prej faktit se bandat shqiptare po përfshihen gjithmonë e më shumë në krimin e organizuar atje” dhe se “çfarë u thoshte ajo si mbështetëse e Shqipërisë vendeve të tjera për të nisur bisedimet pavarësisht këtyre raportimeve”. Kancelarja u përgjigj duke iu shmangur pyetjes rreth kriminalitetit:“Nuk bëhet fjalë për anëtarësim direkt, por për nisje bisedimesh. Gjithmonë e kam thënë se ua kemi premtuar (shqiptarëve) prej vitesh. Për Shqipërinë, duhet të shohim kompleksitetin e problemeve që ka patur. Në fushën e emigracionit të paligjshëm kemi mundur t’i tejkalojmë këto probleme duke punuar me ta dhe Shqipëria po i merr mbrapsht ata që kanë shkelur ligjin dhe rregullat e qëndrimit. Për ata që janë të aftë, ne kemi nevojë për punonjës të aftë dhe kjo marrëveshje (për krahun e punës) ka treguar se funksionon. Prandaj mendoj se duhet të tregohemi të drejtë me ato çfarë premtojmë dhe të mbetemi të besueshëm për këtë rajon (Ballkanin Perëndimor) që e kërkon integrimin në BE”.
Në vitin 2015, numri i lartë i kërkesave për azil nga Shqipëria shtynë Gjermaninë që të niste diskutimet me Shqipërinë për një fushatë ndërgjegjësimi se "në Berlin nuk ofrohej azil ekonomik". Viti 2015 shënoi numrin më të lartë të azilkërkuesve shqiptarë në këto 10 vitet e fundit me 68,945 aplikime, pjesa më e madhe e të cilëve pati përgjigjie negative dhe iu drejtua vendeve si Gjermania apo Franca. Prej asaj periudhe Gjermania ka ndryshuar politikat e saj kundrejt emigrantëve duke mundësuar programe punësimi kryesisht për mjekë, infermierë apo fizioterapistë.
