Memoriali i masakrës serbe në Mitrovicë pa emrin e fëmijës rom

exit.al 2 Gusht 2020, 21:13

Komuna e Mitrovicës nuk e ka shënuar emrin e fëmijës rom Elizabeta Hasani në memorialin për viktimat një masakre serbe ku u vranë edhe gjashtë shqiptarë.

Më 13 mars 1999, në Tregun e Gjelbër në Mitrovicë u hodh një granatë, e cila la të vrarë shtatë vetë dhe dhjetëra të plagosur. Masakra mendohet se u krye nga forcat serbe. 

Në vitin 2020, komuna ngriti një memorial në përkujtim të masakrës, por aty gjenden vetëm emrat e gjashtë shqiptarëve dhe mungon emri i Elizabetës pesëvjeçare.

Të dielën, në Ditën e Holokaustit ndaj Romëve nga nazistët, aktivisti Shkëlzen Gashi e ka denoncuar këtë fakt.

Gashi ishte këshilltar i ish-kryeministrit Albin Kurti, derisa ky e shkarkoi pas presionit të opinionit publik kur Gashi komentoi se anëtarët e UÇK-së që kanë bërë krime duhet të gjykohen për to.

Sot, Gashi postoi foto nga masakra, ku duket edhe një fëmijë i shtrirë përtokë. Ai e identifikoi atë si fëmijën rom pesëvjeçare Elizabeta Hasani.

Në një tjetër foto duket memoriali pa emrin e Elizabetës.

“Edhe në Fjalorin Enciklopedik të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kur prezentohet kjo masakër, figurojnë vetëm GJASHTË shqiptarët e vrarë,” komentoi Gashi.

Ai i bëri homazh viktimave të luftës së Kosovës, “pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike, racore, gjuhësore, gjinore, fetare, regjionale, politike”.

Kallzo.com pyeti nënkryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faruk Mujka, për mungesën e emrit të Elizabetës në memorial.

Mujka u përgjigj se prej 20 vitesh aty ka qenë një pllakë tjetër me emrat e vetëm gjashtë shqiptarëve. Komuna është konsultuar me Komitetin e të Drejtave të Njeriut, Zyrës për Mirëqenie Sociale për emrat e viktimave përpara se të bënte memorialin e ri. Ai shtoi se komuna kishte bërë edhe një ftesë publike për të paraqitur emrat e viktimave të masakrës.

Mujka tha se ndihej i prekur nga hamendësimet e mundshme se emri i fëmijës rom mund të jetë lënë mënjanë qëllimisht. Ai tha se emri i Elizabetës do të shkruhet në memorial sa më parë, pasi të jetë verifikuar.

Shpërndaje te miqtë